Arbëri

Mbetjen e gjysmës së buxhetit, opozita në Fushë-Kosovë e quan keqmenaxhim

Komunarët e Fushë-Kosovës i kanë bartur nga 2021-ta mbi 5 milionë euro të hyra, që nuk kanë arritur t’i shpenzojnë.

Kjo shumë është gati sa gjysma e buxhetit total që e ka pasur kjo komunë për vitin që shkoi. Mbetjen e kaq shumë mjeteve të pashpenzuara, opozita në këtë komunë po e quan keqmenaxhim e keqplanifikim nga ana e ekzekutivit komunal.

Sipas shefit të Grupit të këshilltarëve të VV-së, Durim Hajra, njëra nga arsyet e mosshpenzimit të këtyre mjeteve është se qeverisja komunale i ka shpërfillur kërkesat e qytetarëve.

“Kuvendi Komunal në mbledhjen e parë për vitin 2002 ka marrë vendim për bartjen e 5 milionë eurove nga të hyrat vetanake, pra që i bie që ka bartur 46 për qind të buxhetit të planifikur në vitin 2021. Pra, duke u nisur nga kjo bartje që po shohim e që ka qenë e ripërsëritur për vite me radhë, shohim që kemi të bëjmë me keqplanifikim, keqmenaxhim të parasë publike nga ekzekutivi”, tha Hajra.

Kritika për bartjen e mbi 5 milionë eurove ka edhe partia tjetër opozitare, PDK.

“Ne si Grup parlamentar kemi votuar kundër për faktin që ne jemi të bindur që bartja e buxhetit shpërfaq keqplanifikimin, keqmenaxhimin, mbi të gjitha mospunën e kësaj qeverisje aktuale, për faktin se ne që jetojmë në Fushë-Kosovë e dimë që qyteti dhe qytetarët e Fushë-Kosovës ballafaqohen me mungesë të gjërave elementare”, tha Mirsad Qyqalla, shef i Grupit të këshilltarëve të PDK-së.

Qyqalla thotë se përderisa komunës i teprojnë mbi 5 milionë euro, nëpër shkolla mungojnë edhe xhokerët për pastrim.

Por, bartjen e këtyre mjeteve është munduar ta arsyetojë nënkryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Fadil Krasniqi. Sipas tij, si komunë kanë arritur të arkëtojnë më shumë të hyra vetjake sesa që kanë planifikuar, por që pjesën e mbledhur në tre muajt e fundit të vitit nuk kanë mundur ta alokojnë.

Arsye tjetër, sipas Krasniqit, është për shkak se disa operatorëve të papërgjegjshëm janë detyruar t’ua shkëpusin kontratat, ndërsa disa projekte nuk janë realizuar për shkak të ankesave në OSHP.

“Faktikisht, ju e shihni që 2 milionë janë mjete më shumë që i kemi grumbulluar edhe pse kjo nuk është, opozita thotë keqplanifikim, s’është e vërtetë që është keqplanifikim, sepse vetë qeveria neve na e ka caktua tavanin se sa duhet të mbledhim të hyra vetanake. Pse ata nuk e kanë respektua trendin e grumbullimit të të hyrave në Fushë-Kosovë, na nuk jemi fajtorë”, tha Fadil Krasniqi, nënkryetar i Komunës së Fushë-Kosovës.

Nënkryetari i Komunës së Fushë-Kosovës e pranon se kanë mundur të jenë më azhure, por sipas tij, fajtorët e kësaj mbetjeje janë më shumë të jashtëm sesa të brendshëm.

Edhe pse e ka pranuar se kjo komunë ka edhe mjete tjera suficit nga granti qeveritar që i kthehen Ekzekutivit, Krasniqi ka thënë të mos e di shumën e saktë para se të përgatitet raporti financiar vjetor.