Epilogu i dy çështjeve të ngritura në Gjykatën Kushtetuese pritet të marrë formë në muajin dhjetor.
Në qershor e korrik të këtij viti, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar interpretim nga Kushtetuesja lidhur me votat e deputetëve Etem Arifi e Haxhi Shala.
Ndaj Arifit për shkak të dënimit prej 1 vit e tre muaj për keqpërdorim me subvencione. Kurse për Shalën, lidhur me deklarimin e tij se votën për Qeverinë Hoti e ka dhënë pas kërkesës së presidentit Hashim Thaçi e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Njohësit e Kushtetutës janë të ndarë sa i përket ndikimit të vendimeve të gjykatës në politikëbërjen aktuale.
Sipas Albert Krasniqit nga “Demokraci Plus”, vendimi për çështjen e deputetit Etem Arifi nuk do ta rrëzojë qeverinë Hoti.
“Nëse anulohet ose konsiderohet që Etem Arifi e ka humbur mandatin nga ky moment i merret mandati i tij, por që nuk anulohen vendimet të cilat z. Arifi i ka marrë pjesë në votim”, ka deklaruar Arifi.
Kurse sa i përket votës së Haxhi Shalës, sipas Krasniqit, rrethanat kanë ndryshuar pas dorëheqjes së presidentit.
Por ndryshe mendon Riza Smaka. Ndonëse e konsideron të vonuar vendimmarrjen e Gjykatës, ai thotë se votimi i Shalës e Arifit duhet të anulohet e proceset të kthehen në fillim.
“Kjo është çështje juridike ndër më të thjeshtat të mundshme dhe nuk ka kurrfarë justifikimi që ta zhagitë këtë lëndë deri në këtë etapë. Edhe rasti i Arifit është i tillë rast shumë i thjeshtë kjo tregon që GJK ma shumë është politike sesa Kushtetuese”, tha Smaka.
Në anën tjetër, nga Gjykata Kushtetuese kanë bërë të ditur se janë në shqyrtim të të dyja lëndëve. Ndonëse nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje se kur do të merret vendimi, nga ky institucion kanë bërë të ditur se për rastin e deputetit Etem Arifi do të mbahet seancë dëgjimore publike më 2 dhjetor.
“Gjykata ka marrë vendim që të mbajë seancë dëgjimore publike përkitazi me këtë rast më 2 dhjetor 2020 dhe për këtë do të njoftohen së shpejti të gjitha palët e interesit të përfshira në këtë lëndë. Për shkak të rrethanave aktuale me pandeminë Covid-19, seanca dëgjimore do të organizohet nëpërmjet videokonferencës, në përputhje me rekomandimet dhe udhëzimet në fuqi të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës. Njëherësh, duke pasur parasysh çështjet e ngritura në kërkesë, Gjykata po ashtu ka marrë vendim që t’i drejtohet edhe Forumit të Komisionit të Venecias, përkitazi me praktikat dhe rregullat e aplikueshme në situata të ngjashme, në shtetet anëtare të Komisionit. Përkitazi me rastin e z. Haxhi Shalës, Gjykata nuk ka afat të vendimmarrjes. Kjo lëndë është ende duke u shqyrtuar”, thuhet nga Kushtetuesja.
Lidhur me rastin e deputetit Arifi, Kushtetuesja i është drejtuar edhe Forumit të Komisionit të Venecias. Por ky komision nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS për këtë çështje këtë të martë.