Arbëri

Vlera e koeficientit do të caktohet brenda janarit me ndryshime në Ligjin për Buxhet

Pagat

Koeficienti në Ligjin për Pagat në sektorin publik do të bëhet e ditur në janar, porse për miratimin e saj do të duhen ndryshime në Ligjin për Buxhet. Për ndryshimet në këtë ligj ka kohë 21 ditë, duke marrë parasysh pushimin e deputetëve që zgjat deri në mes të janarit dhe hyrjen në fuqi të Ligjit që duhet të bëhet në fillim të shkurtit. Ekonomistët kanë thënë se vlera e koeficientit nuk mund të jetë më e vogël se 120 euro

Ligji për Buxhetin e vitit 2023, i cili ishte miratuar në dhjetor të vitit 2022, duhet që të kthehet sërish për amendamentim në Kuvendin e Kosovës teksa me ndryshimet që do t’i bëhen, do të përcaktohet edhe vlera monetare e koeficientit të Ligjit për Pagat në sektorin publik.

Ligj është publikuar të enjten në gazetën zyrtare porse pa e përfshirë vlerën e koeficientit. Në Qeveri kanë thënë se përcaktimi i koeficientit do të bëhet brenda janarit.

Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë, ka bërë të ditur se buxheti i 2023-tës për paga do të jetë 75 milionë euro më i lartë sesa ai për vitin e kaluar.

“Sipas Ligjit për Buxhetin e vitit 2023, që u miratua në dhjetor të vitit që lamë pas, totali i përgjithshëm i buxhetit për paga në sektorin publik për vitin 2023 do të jetë 745 milionë euro. Ndërkaq, vlera e koeficientit do të caktohet gjatë këtij muaji, pra gjatë muajit janar, bazuar në tërësinë e koeficienteve të shpërndarë me Ligjin e Pagave”, ka thënë Kryeziu për KOHËN.

Ligji për Pagat, i cili të mërkurën është dekretuar nga presidentja Vjosa Osmani, duhet që të hyjë në fuqi më së largu deri më 5 shkurt.

Deputetët e Kuvendit, të cilët sesionin pranveror do ta nisin më 16 janar, për ndryshimet e kërkuara në Ligjin për Buxhet kanë një afat kohor prej 21 ditësh, duke e përfshirë edhe afatin e dekretimit të ligjit nga presidentja.

Miratimi dhe dekretimi i këtij ligji pa vlerën e koeficientit është vlerësuar si një eksperiment që e dëmton Kosovën.

Safet Gërxhaliu, njohës i ekonomisë, ka thënë se Ligji mund të kontestohet në Kushtetuese, ani se atakimi ka vlerësuar se do të mund të shmangej nëpërmjet një dialogu dhe analizës paraprake mes palëve të interesit.

“Nuk është një zgjidhje që gjithmonë të jetë adresë Gjykata Kushtetuese. Po e shihni se sa shumë mungon dialogu. Po e shihni se sa mungon një partneritet i mirëfilltë. Ky ligj nuk duhet të analizohet vetëm në aspektin vertikal, por duhet të analizohet edhe në aspektin horizontal, sepse i përfshin shtyllat kryesore të funksionimit të shtetit”, ka deklaruar ai.

Ekonomisti Erton Bega ka vlerësuar se ani që vlera e koeficientit nuk është bërë e ditur, ajo nuk ka mundësi që të jetë më e vogël se 120 euro.

“Nën 120 euro nuk mund të jetë për shkak se kaq është koeficienti sot. Por, supozohet që mund të jetë edhe 132 euro, për t’u përputhur me pagën minimale që është proceduar në Kuvend, sepse koeficienti më i vogël, sipas ligjit, është 2 dhe asnjë pagë nuk mund të jetë më e vogël se paga minimale prej 264 eurosh”, ka thënë Bega.

Koeficienti 2 u takon kadetëve të FSK-së, kadetëve të Policisë, doganave dhe atyre të Shërbimit Korrektues.