(Ekonomia Online) - Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Burim Ahmetaj, gjatë mbledhjes së KQZ-së ka thënë se të shtunën ka arritur kontingjenti i parë me vota nga diaspora.
Ai ka thënë se kanë rreth 3.000 mijë zarfe nga posta e shpejtë.
“Kemi zhvilluar komunikimin me ta për votat me postë, po ashtu edhe përmes postave të shpejta dhe të njëjtën do ta përdorim. Të shtunën i kemi marrë diku rreth 3.000 zarfe nga posta e shpejtë dhe ky është kontingjenti i parë. Jemi në fazën e furnizimit dhe shërbimeve për t’i kryer këto aktivitete, jemi në fazën e trajnimit të këshillave të vendvotimeve. Janë bërë të gjitha përgatitjet dhe janë shpërndarë kabinat e votimit dhe sipas informacioneve pritet që fletëvotimet të arrijnë të premten në Kosovë”, tha Ahmetaj.
Ndërsa, anëtari i KQZ-së nga VV-ja, Sami Kurteshi, ka pyetur se si do të veprohet me njerëzit që janë të infektuar me Covid-19.
Ahmetaj ka thënë se përmes shtabeve emergjente do të verifikohen të gjithë personat e ngujuar nga Covid-19.
“E kemi praktikën e zgjedhjeve në Mitrovicë dhe Podujevë ku zyrtarët kanë vepruar me shtabet emergjente dhe tash zyrtarët komunalë janë në komunikim në mënyrë që të verifikohen personat me Covid-19 që të kenë edhe ata të drejtën të votojnë”, u shpreh ai.
Edhe
Elezi: Votat nga diaspora ende s’kanë arritur në Kosovë
Ndërsa, shuma për stafin që qëndron në qendrat e votimit nuk ka ndryshuar, ka thënë anëtari i KQZ-së nga LDK-ja, Sami Hamiti.
“Ne kemi analizuar këto projeksione që kanë ardhur nga Sekretariati dhe janë shuma që kanë qenë në zgjedhjet e kaluara, shumat nuk kanë ndryshuar dhe janë në bazë të projeksionit, pas pastrimit të listës zgjedhore është zvogëluar edhe numri i stafit në vendvotime, ku janë 1500 komisionarë”, tha Hamiti.