Arbëri

Viti 2022 në fokusin e fotoreporterëve të KOHËS

Ngjarje të rëndësishme politike e shoqërore janë përcjellë te lexuesit e KOHA.net, nëpërmjet fotografive të fotoreporterëve Alban Bujari e Driton Paçarada, gjatë vitit 2022.

Poshtë gjeni disa prej fotografive që përthekojnë vitin 2022:

Image
Protestë e qytetarëve kundër shtrenjtimit të energjisë – 26 janar, foto nga Alban Bujari
Image
Marshi i ushtarëve të Forcës së Sigurisë, i organizuar në kryeqytet më 17 shkurt, është kthyer në spektaklin që mori vëmendjen më të madhe në përvjetorin e 14-të të Pavarësisë. Mijëra qytetarë ishin aty e flukse të mëdha qytetarësh kanë vizituar edhe Prekazin për të bërë homazhe në varret e Jasharëve Qytetarët shpalosën shpresë për ditë më të mira për shtetin e drejtues institucionalë thanë të jenë të përkushtuar për ta shtyrë Kosovën drejt BE-së e NATO-s. Foto nga Alban Bujari
Image
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka protestuar në kërkim të miratimit të Ligjit për Paga – 8 prill, foto nga Alban Bujari
Image
Alarm i rremë për bombë në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës - 24 maj, foto nga Driton Paçarada
Image
Protestë në kërkim të votimit të lejimit të tërheqjes nga Trusti - 26 maj, foto nga Alban Bujari
Image
Veteranë të UÇK-së, më 6 qershor, kanë bërë përpjekje që të hyjnë në sallën plenare, për t’i penguar ndryshimet ligjore që shqyrtoheshin nga deputetët, e me të cilat Qeveria synonte ta rriste pagën minimale dhe ta hiqte detyrimin që në lartësinë e saj ta paguajë pensionin për secilin veteran. Ata janë ndalur nga forcat speciale të policisë dhe në përballje është hedhur edhe gaz lotsjellës e edhe sprej piperi. Pasi ndryshimet ligjore nuk kaluan në mungesë kuorumi, protestuesit u shpërndanë, por paralajmëruan bllokimin e institucioneve nëse ndryshimet ligjore do të vihen sërish në rend dite – 6 qershor, foto nga Alban Bujari
Image
Më 24 qershor, qytetarë të Kosovës përmes një proteste shprehën zhgënjimin me Bashkimin Evropian që ende nuk e ka marrë vendimin për liberalizimin e vizave. Ata vazhdojnë të presin në radhë para ambasadave për t’u pajisur me vizë, por shpresojnë se shpejt BE-ja do ta marrë vendimin për t’ua mundësuar kosovarëve që lirshëm të lëvizin në zonën Schengen – 24 qershor, foto nga Alban Bujari
Image
Barrikadat në veri, kundër reciprocitetit në targa dhe dokumente - 1 gusht, foto nga Driton Paçarada
Image
Qeveria e Kosovës vendosi flamuj të Ukrainës pranë atyre të Republikës së Kosovës, në nder të Ditës së Pavarësisë së këtij vendi, më 24 gusht. Kjo ditë gjithashtu shënoi 6-mujorin e fillimit të pushtimit rus në Ukrainë, luftë që po vazhdon – 24 gusht, foto nga Alban Bujari
Image
Një nga vizitat e shpeshta të emisarëve evropianë e amerikanë për dialogun - 24 gusht, foto nga Alban Bujari
Image
Mbi 1600 persona, viktima të luftës së fundit në Kosovë, vazhdojnë të jenë në listën e të zhdukurve. Kërkimet e fundit për trupat e zhdukur janë bërë në fshatin Shtaval të Komunës së Sjenicës në Serbi, por pa rezultate. Ndërsa mbetjet e fundit mortore që u gjetën ishin ato të një viti më parë në Kizhevak të Serbisë. Përshpejtimi i këtij procesi, sipas drejtuesve të institucioneve, po varet kryesisht nga vullneti i regjimit të Serbisë, që 23 vjet më parë kishte kontrollin mbi territorin e Kosovës dhe që po ky shtet është përgjegjës për vrasjet dhe zhdukjet e trupave. Ata, si edhe familjarët, më 30 gusht, në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Dhunë kërkuan nga bashkësia ndërkombëtare të ushtrojë trysni ndaj Serbisë – 30 gusht, foto nga Alban Bujari
Image
Protesta në Prishtinë kundër dhunimit ndaj 11-vjeçares në Prishtinë - 31 gusht, foto nga Driton Paçarada
Image
Shtatori nisi me grevë në arsim. Ajo zgjati një muaj – 1 shtator, foto nga Driton Paçarada
Image
Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, ORCA, më 25 tetor mbajti një aksion simbolik para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, në shenjë proteste ndaj shkarkimit të Naser Sahitit nga pozita e rektorit. Sipas aktivistëve të ORCA-s, nëpërmjet shkarkimit anëtarët e Këshillit janë vënë në anën e plagjiatorëve – 25 tetor, foto nga Driton Paçarada
Image
Duke u rënë borive, qytetarët kanë shprehur mllefin për kaosin dhe kolonat e gjata të krijuara gjatë gjithë 28 tetorit në rrugët e kryeqytetit, shkaku i testimit që Komuna e Prishtinës ia ka bërë qarkores njëkahëshe brenda qendrës. Rrugët u bllokuan për tri ditë. Kryetari Përparim Rama kërkoi mirëkuptim nga vozitësit dhe theksoi se e di që mund të jetë qytetari më i urryer i ditës – 28 tetor, foto nga Driton Paçarada
Image
Më 6 nëntor qindra policë në veri të Kosovës dorëzuan dorëheqjet si protestë ndaj vendimit të Qeverisë për targat. Foto nga Driton Paçarada
Image
Në më pak se 24 orë pas vrasjes së 35-vjeçares H. M. dhe foshnjës që ajo priste ta lindte, më 1 dhjetor është organizuar protestë për të kërkuar drejtësi për të dhe gratë e tjera që patën të njëjtin fat, tragjik. Protesta nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti”, në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë, vazhdoi te Prokuroria e Shtetit, Policia e Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës e përfundoi te Qeveria e Kosovës. Të gjitha këtyre institucioneve iu la nga një mbishkrim: “Vrasja e grave është urgjencë kombëtare”. Foto nga Driton Paçarada
Image
Në Llugaxhi të Lipjanit u varros gruaja që u vra nga bashkëshorti i saj para objektit të Klinikës Gjinekologjike - 2 dhjetor, foto nga Alban Bujari
Image
Serbët lokalë në veri dy herë gjatë vitit bllokuan rrugët, si reagim ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale dhe së fundi për arrestimin e ish-zyrtarit policor, Dejan Pantiq, i dyshuar për sulme ndaj Komisioneve Komunale Zgjedhore në Mitrovicë - 11 dhjetor, foto nga Driton Paçarada
Image
Mbi 1000 persona të veshur me rroba të Babadimrit kanë marrë pjesë më 25 dhjetor në minimaratonën humanitare “Vrapo Babadimër”, në Prishtinë. “Gara” ishte e hapur për të rritur, të rinj e për persona me nevoja të veçanta. E gjitha që u desh për t’u bërë pjesë e ngjarjes ishte blerja e rrobave të Babadimrit, e paratë e grumbulluara, sipas organizatorëve, do të shkojnë për familjet në nevojë – foto nga Driton Paçarada