Në zonën Fakultetit Teknik në Prishtinë, të enjten është vënë gurthemeli i objektit të ri të Fakultetit të Shkencave Matematike dhe Natyrore (FSHMN) të Universitetit të Prishtinës (UP).
Në këtë ceremoni, kryeministri Albin Kurti ka thënë arsimi është investimi më i rëndësishëm për të ardhmen e shtetit.
“Rritja e cilësisë është objektivi ynë në gjitha nivelet, e kur flasim për arsimin e lartë fjalët kyçe për këtë nivel janë, integriteti, standardi, kriteret dhe performancës, kështu Projektligji për arsimin e lartë përcakton kriteret specifike si dhe mekanizmat për verifikimin e integriteti akademik. Në anën tjetër edhe përmes Projektligjit për e Agjencinë e Kosovës për Akreditim, garantohet pavarësia e këtij institucioni”, ka theksuar Kurti.
Ai ka thënë se matematika dhe shkencat natyrore kanë rol të rëndësishëm në zhvillimin edhe të inxhinierisë. Sipas tij për këtë është shumë e rëndësishme që objekti i ri i FSHMN-së është afër fakulteteve teknike. “Kjo afërsi do të ndikojë edhe në bashkëpunimin e tyre”, është shprehur ai.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka shprehur mirënjohje për punën e stafit e studentëve që sipas saj, ndër vite kanë punuar në kushte jo të mira. “Objekti i ri do të rrisë ndjeshëm cilësinë në studime por edhe kjo përçon vëmendjen që e ka Ministria që të ngritë cilësinë në fushën e shkencave matematikor dhe natyrore. Përmirësimi në cilësinë e arsimit është një nga prioritet e Qeverisë”, është shprehur Nagavci.
Ndërsa rektori i UP-së Qerim Qerimi, ka thënë se në hapësirat e këtij Fakulteti studiojnë mbi dy mijë studentë. “Peshën e këtij momenti të veçantë e shton që pjesa dërmuese në këtë fakultet janë femra, 75 për qind. Duke ndërtuar hapësirat e reja ne po i kontribuojmë modernizimit dhe ngritjen e kapaciteteve shkencore”, ka deklaruar Qerimi.
Në ceremoni ka marr pjesë edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
“Kjo nuk është vetëm objekt i ri, por që do të ndikojë në mirëqenien dhe cilësinë për studentët. Për shumë vite BE-ja është kujdesur për infrastrukturën në Kosovë me prioritet infrastrukturën në sektorin e edukimit”, ka theksuar Szunyog.
Ky projekt financohet nga BE-ja, UNOPS-i dhe UP-ja.