Ligji i Vettingut duhet të kalojë sërish në provën e Gjykatës Kushtetuese. Unioni dhe Shoqata e gjyqtarëve janë bashkuar në një padi të re kundër disa neneve specifike të Vettingut, si dhe të disa pikave në dy ligje të tjera bazë të reformës në drejtësi.
Bëhet fjalë për ligjin e organeve të qeverisjes së drejtësisë dhe të statusit të gjyqtarëve.
Por ndjeshmëria më e madhe mbetet tek ligji i Vettingut, sepse zbatimi i tij lidhet direkt me procesin e integrimit të vendit.
Një nga pikat më delikate të ankimuara të gjyqtarëve lidhet me kontrollin e figurës së njerëzve të drejtësisë, por gjyqtarët thonë se duke përfshirë në verifikim "edhe persona të dyshuar për lidhje me krimin e organizuar", sipas "informacioneve konfidenciale" pa një vendim të formës së prerë, kjo mund të çojë në vendime abuzive të Komisionit të Vettingut, njofton tch.
Kur u miratua ligji, verifikimi i figurës, përveç kontrollit të pasurisë, u konsiderua si një nga shtyllat e procesit të Vettingut. Ai u mbështet publikisht si nga amerikanët, ashtu edhe nga europianët me argumentin e Komisionit të Venecias se masat drastike të Vettingut ishin të pranueshme për të zgjidhur një situatë si ajo në drejtësinë shqiptare.
Ndërkombëtarët janë të shqetësuar pasi Gjykata Kushtetuese pranoi ankimin e Shoqatës dhe Unionit të Gjyqtarëve kundër ligjit të Vettingut, ligji që u gjykua njëherë në fund të vitit të kaluar pas një kërkese të Partisë Demokratike, kërkesë që u rrëzua.
Tashmë ky ligj, pas marrëveshjes së 18 majit ka mbështetjen e plotë të Partisë Demokratike për ngritjen e Komisioneve të Vettingut.