Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës, ka thënë se sistemit të drejtësisë në Kosovë i nevojitet vettingu.
Sipas tij, problemet në drejtësi janë zinxhirore duke filluar që nga hetimet, ngritja e aktakuzës, përfaqësimi i saj në prokurori e procedurat e tjera. Tha se shumica e aktakuzave kanë mangësi.
Në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, ai tha të mërkurën, se edhe rasti i fundit i dhunimit të 11-vjeçares tregoi domosdoshmërinë e vettingut.
“Jo vetëm ky rast, por edhe të tjerë janë dëshmi se sistemi i drejtësisë në vend po çalon, ka mangësi dhe sidomos në rastet e shqiptimit të dënimeve ndaj të akuzuarve për kryerjen e veprave penale të ndryshme, veçanërisht të rënda si ky i dhunimit të 11-vjeçares. Nevoja për ta bërë një vetting është e domosdoshme pasi gjyqësori po ka mangësi të mëdha në procedimin e rasteve dhe përfundimin e rasteve të veprave penale të rënda. Kemi probleme politike ndëshkimore të gjykatave në Kosovë, politika ndëshkimore është e dobët dhe dënimet ndaj të akuzuarve po shqiptohen të ulëta”, tha ai.
Shqetësues e sheh faktin se personat e akuzuar për veprën e dhunimit, kanë pasur vepra penale të mëhershme, por që janë dënuar pak. Kjo sipas Bugaqkut, po nxitë kriminelët të kryejnë vepra penale të tjera.
Edhe
Kurti: Kur dhunuesi lirohet pas tetë muajsh burgim, vettingu është i domosdoshëm
“Te rasti i fundit, shqetësuese është që të akuzuarit janë njerëz që kanë pasur edhe më herët vepra penale dhe që janë dënuar me dënime të ulëta të gjykatës dhe kjo i nxitë kriminelët që të kryejnë veprime sepse ata nuk po arrijnë të ndëshkohen, sepse gjykatat në Kosovë nuk po i dënojnë në mënyrën meritore”.
Bugaqku ka thënë se me deklaratat e krerëve shtetërore se duhet të bëhen shkarkime në sistemin e drejtësisë pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares, po cenohet dhe po shkelet parimi i balancimit të pushteteve.
“Ne mendojmë se po cenohet dhe po shkelet parimi i balancimit dhe kontrollit të pushteteve sepse vazhdimisht po kemi ndërhyrje, deklarata, një presion i vazhdueshëm ndaj gjykatës dhe prokurorisë për të vepruar dhe kjo është e rrezikshme sepse si vend funksionojmë në bazë të demokracisë kushtetuese dhe kushtetuta i ka përcaktuar rregullat të funksionimit të secilit pushtet. Nuk i duhet Kosovës që të ketë përplasje mes dy pushteteve, duhet ta lëmë gjyqësorin ta kryejë punën e vet aq sa ka kapacitete, ekzekutivi ka për detyrë t'ia plotësojë kushtet gjyqësorit, bazën financiare dhe ligjore”, tha ai.
Theksoi se mund të ketë dorëheqje të tjera lidhur me rastin e dhunimit të 11-vjeçares.
“Besoj se në të ardhmen do të ketë edhe ndonjë dorëheqje tjetër sepse siç po dalin edhe informacionet e reja kemi një varg lëshimesh, prej policisë, prokurorisë, një zinxhir edhe i mekanizmave të tjerë që është dashtë ta kryejnë punën, faktikisht nuk e kanë kryer me efikasitet”.
Por, ai nuk pret dorëheqje nga aspekti moral pas rastit të dhunimit. Pret që Këshilli Gjyqësor të kontrollojë punën e gjyqtarëve që kanë trajtuar raste të tilla dhe të shohë ngecjet në ato procese.
“Në Kosovë nuk është praktikë shumë dorëheqja për aspekt moral, dha dorëheqje drejtori i Policisë. E udhës është që Këshilli Gjyqësor të bëjë një hetim, të ndërmarrë masa, të bëjë kontroll të punës së gjyqtarëve që kanë trajtuar kësi raste, dhunës në familje, dhunimit dhe të tjera, të sheh ku kanë çaluar këta gjyqtarë dhe Këshilli i ka mekanizmat e performancës dhe duhet t'i trajtojë secilin që ka bë lëshime në këtë aspekt. E njëjta vlen edhe për Këshillin Prokurorial. Është pak absurde se qysh në një gjykatë këta persona marrin edhe dënime me kusht, ose dënohen shumë pak”.
Edhe
Bugaqku: Për vettingun duhet kompromis politik, duhet edhe vota e Listës Serbe
Sipas Bugaqkut, sistemi i drejtësisë po çalon te vendimmarrja mbi gjyqtarët e prokurorët.
“Mungon vendimmarrja, nuk ka asnjë rast ku është shkarkuar ndonjë gjyqtar për shkak të performancës së dobët ose ndonjë prokuror sepse aktakuza e tij ka dështuar në gjykatë për shkak të mungesës së provave. Kjo është shqetësuese kur në Kosovë ka pasur gjyqtarë që kanë dhënë dorëheqje ose ku janë degraduar, por nuk janë shkarkuar”.