Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vetëvendosje lëshon sallën e Kuvendit

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka vazhduar me shqyrtimin e pikave të papërfunduara më 6 korrik, por në momentin që ka munguar ministri i Tregtisë, Bajram Hasani, Lëvizja Vetëvendosje ka lëshuar sallën duke thënë se Qeveria i ka ditët e numëruara.

Votimi i propozim-rezolutës nga interpelanca e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me vendimin e Qeverisë për pagesën e 53 milionë eurove shtesë për kompaninë Bechtel & Enka në kontratën për ndërtimin e Autostradës R6, “Arbën Xhaferi” Prishtinë - Hani i Elezit, është shtyrë me kërkesën e propozuesve GP-të Lëvizjes Vetëvendosje dhe GP të LDK-së, duke thënë se po provojnë t’i harmanizojnë qëndrimeve.

E derisa opozita vazhdonte të kundërshtojë se nuk janë njoftuar zyrtarisht me pikat e rendit të ditës, në momentin që nisi shqyrtimi i projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Unionit “Konkurrenca e Ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme COSME) 2014-2020”, mungonte ministri i Tregtisë, Bajram Hasani. Këtu reagoi Lëvizja Vetëvendosje. Deputetja Albulena Haxhiu njoftoi për largimin e tyre nga salla.

“Jeni qeveri e pakicës dhe nuk ka asnjë dyshim që ditët e kësaj qeveri janë të numëruara, andaj edhe zgjidhja për këtë situatë janë zgjedhjet. Nuk ka kuptim që 7 orë të diskutojmë a ka ardhur ministri, a ka ardhë deputeti, jo deputetët nuk qenkan, kjo është tallje me qytetarët, flasim për marrëveshje ndërkombëtare dhe as ministri nuk është këtu, ku po doni me shku tutje, prandaj ne si grup parlamentar në shenjë proteste ndaj kësaj situate, qysh tani do ta lëshojmë sallën“, tha ajo.

Ndërsa, kryesuesi dha pauzë prej 30 minutave.