Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vetëvendosje fton mërgatën shqiptare të marrin pjesë në zgjedhjet e 11 qershorit

Mërgata shqiptare është pjesë e popullit të Kosovës e cila për dekada me radhë mundësoi luftën çlirimtare kundër Serbisë, dhe si e tillë ajo u bë faktor i paqes sociale në Kosovë.

Kështu deklaroi ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Faton Topalli, i cili foli në lidhje me pjesëmarrjen e mërgatës në procesin zgjedhor të 11 qershorit, në votim e përfaqësim.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Topalli tregoi se vetëm në periudhën 2004-2008, mërgata dha 2.1 miliardë euro, më shumë se të gjitha organizatat e huaja ndërkombëtare.

“Vitin e kaluar ajo kontribuoi në Kosovë, përmes remitencave me 780 milionë euro, që bëjnë gati 100 % më shumë se të gjitha rrogat dhe pensionet që paguan shteti i Kosovës. Mjerisht ajo vazhdon të përjashtohet nga proceset politike në Kosovë. E drejta e votës dhe kandidimit i është dhënë formalisht, por përmes procedurave të komplikuara i është marrë praktikisht”, theksoi Topalli.

“KQZ nuk ka bërë gati asgjë për informimin e mërgatës, ndërsa ka bërë shumë për mbledhjen e votave të mërgimtarëve serbë në Serbi. Në vitin 2013, nga gjithsej 41.168 aplikacione, prej tyre 38.228 ishin nga Serbia, ndërsa vetëm 2.940 nga mërgata shqiptare, apo shprehur në përqindje 92.85% ishin nga Serbia. Kurse, në vitin 2014, nga gjithsej 29.745 aplikacione, prej tyre 25.433 ishin nga Serbia apo 85% e totalit të aplikacioneve për votim jashtë vendit”, shtoi tutje ai.

Ndër të tjera, Topalli tha se mërgimtarët e Kosovës, si askund tjetër në Ballkan e Evropë janë plaçkitur përmes policave kufitare dhe zvarriten me orë të tëra në kufij çdo herë që marrin rrugën për atdhe. Ai po ashtu shprehu nevojën për një rregullim të tillë ligjor i cili ndalon plaçkitjen e mërgimtarëve si nga sigurimet e automjeteve ashtu edhe nga shteti.

“Edhe do ta bëjmë këtë sapo të na e jepni besimin për të qeverisur. Mërgata e Kosovës është potenciali i jashtëzakonshëm njerëzor e ekonomik për zhvillim e ndryshim. Ne angazhohemi që mërgata e Kosovës të kthehet nga objekti në subjekt si në vendin e prejardhjes ashtu edhe në vendin ku jeton dhe punon, duke krijuar kushte që ajo t’i mbrojë interesat e saj, të ndihmojë në zhvillimin dhe ndërtimin e vendit dhe të çmohet për punën e saj. Angazhohemi që në Kosovë të ftohen ekspertë të fushave të ndryshme, të njohur si të tillë edhe në vendet ku jetojnë, duke i krijuar hapësirë dhe kushte praktike në qeverisjet e të gjitha niveleve. Me përfaqësim politik, mërgata e Kosovës mund t’i realizojë të drejtat e saj dhe t’i mbrojë interesat si një pjesë e popullsisë së Kosovës me halle të veçanta. Është pjesë vitale e popullit shqiptar. Andaj, duhet t’i krijojmë kushte që edhe të zgjedhin, edhe të zgjidhen”, deklaroi Faton Topalli.

Kanë mbetur vetëm edhe 6 ditë, deri më 22 maj, kur është data e fundit për të aplikuar për votim për të gjithë ata që nuk ka asnjë mundësi të udhëtojnë për në Kosovë me 11 qershor. Lëvizja Vetëvendosje fton dhe inkurajon çdo bashkatdhetar që mundet dhe ka vullnet të marrë biletën dhe të jetë në Kosovë për ta kurorëzuar ndryshimin e madh.

“Bëjmë thirrje të gjithë mërgimtarëve, që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës, të përfaqësohen në Kuvendin e ardhshëm, dhe ta bëjmë bashkë ndryshimin e domosdoshëm të vendit tonë. Ne jemi për ndryshim! Mërgata është për ndryshim! Kosova është e gati për ndryshim dhe këtë ndryshim do ta bëjmë të gjithë së bashku”, tha Topalli.