Vetëvendosje përmes një komunikate për media bën të ditur se sot shënoi 11 vjetori i protestës së 10 shkurtit 2007 kundër Planit të Ahtisaarit, dhe në të njëjtën kohë 11 vjetorin e rënies së Mon Balajt dhe Arben Xheladinit.
Deputetë e aktivistë të Vetëvendosjes, bashkë me qytetarë të shumtë bënë homazhe te varri i Mon Balajt në Besianë, dhe te varri i Arben Xheladinit në Prishtinë, si dhe te pllaka përkujtimore në sheshin kryesor të Prishtinës.
Vetëvendosje thotë se Mon Balaj e Arben Xheladini u bashkuan me karvanin e dëshmorëve që dhanë jetën e tyre për mbrojtje të atdheut, transmeton Koha.net.
“Më 10 shkurt 2007 po kundërshtohej copëtimi i territorit dhe tjetërsimi i historisë. Atë ditë po demonstrohej në mënyrë paqësore për liri e vetëvendosje. Atë ditë ranë në altarin e lirisë Mon Balaj e Arben Xheladini. Ata u bashkuan në karvanin e gjatë të dëshmorëve të kombit tonë duke e dhënë jetën e tyre në mbrojtje të atdheut”, thotë VV.
VV shton se demonstrata e 10 shkurtit ishte kundërshtim ndaj padrejtësive që sillte Pakoja e Ahtisaarit.
Edhe
Kurti në homazhe për Xheladinin e Balajn: Protestonim kundër Pakos së Ahtisaarit me shumë koncesione
“Gjashtë faqet e atij dokumenti ishin gjashtë padrejtësitë që po i instaloheshin vendit tonë. Vetoja e shumica e dyfishtë në institucione, decentralizimi mbi baza etnike, eksterritorialiteti i kishave dhe manastireve, betonimi i sundimit ndërkombëtarë dhe pjesëmarrja në borxhin e jashtëm të Serbisë ishin padrejtësitë që cungonin lirinë dhe sovranitetin si dhe pamundësonin zhvillimin normal të shtetit të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
“Ne nuk do t’i harrojmë asnjëherë Monin e Arbenin dhe do të vazhdojmë pa u ndalur drejt vullnetit të tyre që të mos lejojmë as të copëtohet e as të falet territori ynë përmes Zajednicës e Demarkacionit”, tha në fjalën e saj deputetja Fitore Pacolli.
Aktualiteti i demonstratës së 10 shkurtit 2007 është përherë me neve dhe në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje thotë se e “ka gur themeltar të vetin këtë demonstratë, e cila paraqet jo të kaluarën tonë, por edhe pishtarin e rrugën tonë në vijim”.
Edhe pas 11 vitesh askush nuk është gjykuar e dënuar për vrasjet e plagosjet në këtë demonstratë.
“Ne nuk do të ndalemi asnjëherë në rrugën tonë të drejtë, ne nuk do të rreshtim duke kërkuar drejtësi për 10 shkurtin” tha në fjalën e tij deputeti dhe sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi.
Edhe
Mbahen homazhe te pllaka përkujtimore në nderim të Arben Xheladinit dhe Mon Balaj
Ndërkaq kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në fjalën e tij para pllakës përkujtimore në sheshin kryesor të Prishtinës tha që, “pa ndërprerjen e diskriminimin mbi baza etnike dhe fetare, pa e bërë demokracinë e njëmend në institucione e në shoqëri, pa e pasur Kosova ushtrinë e vet, pa u zmbrapsur Serbia nga ambiciet dhe apetitet e saja shoviniste dhe hegjemoniste nuk do të mund të kemi liri, demokraci, zhvillim dhe sovranitet, atë çfarë paraqet ëndrra dhe dëshira e dëshmorëve tanë që janë dëshmi për të kaluarën tonë të lavdishme dhe udhërrëfyes për të ardhmen tonë”.
“Arbeni dhe Moni të cilët me aktivizmin e tyre dhe sakrificën e tyre gjithmonë do të jenë pjesë e frymëzimit të Lëvizjes Vetëvendosje ata janë motivi ynë, ata janë e vërteta jonë. Lavdi për jetë e mot për dëshmorët Mon Balaj e Arben Xheladini! Lavdi e përjetshme për të gjithë dëshmorët e kombit! Krimi nuk vjetrohet. Lëvizja nuk ndalet”, thuhet në komunikatë.