Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

16 vjet nga vrasja, kërkohet drejtësi për Balajn e Xheladinin

Të premten janë bërë 16 vjet nga protesta e Lëvizjes Vetëvendosje kundër Planit të Ahtisaarit, e në të cilën u vranë dy aktivistë të saj e u plagosën dhjetëra të tjerë. Derisa bënë homazhe në përvjetorin e tyre, familjarë e udhëheqës institucionesh bënë thirrje për drejtësi

“Ne shpresojmë për drejtësi”, është thirrja e motrës së Arben Xheladinit, Shqipes, në fjalën e shkurtër që ajo e ka thënë gjatë shënimit të përvjetorit e 16-të të vrasjes së vëllait të saj. Me pak shpresë se drejtësia do të triumfojë është vëllai i Mon Balajt, Fahriu. Ai thotë se mosnjohja e Kosovës nga shteti rumun është një nga arsyet që mund të shtyjë edhe më tej vendosjen e drejtësisë.

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Xheladini e Mon Balaj, janë vrarë më 10 shkurt të vitit 2007, gjatë protestës së organizuar kundër miratimit të Pakos së Ahtisaarit. Në 16-vjetorin e vrasjes së tyre, Xheladini e Balaj, u përkujtuan nga liderë institucionesh, deputetë, aktivistë e qytetarë.

"Sot është 16-vjetori i Arbenit, dhimbja është shumë e madhe dhe nuk ka fjalë që ta përshkruajë këtë ditë. Ne shpresojmë për drejtësi dhe mbas 16 vjetëve shpresojmë që një ditë do të vjen", ka thënë motra e Arben Xheladinit, Shqipe Xheladini, pas homazheve.

Fahri Balaj, vëllai i Mon Balajt, tha se është e dhimbshme se si disa vjet pas luftës, vëllai i tij e aktivisti tjetër janë vrarë gjatë shfrytëzimit të së drejtës së tyre për protestë.

“Moni dhe Arbeni kishin zgjedhur këtë rrugë dhe ne si familje e kemi mbështetur dhe i kujtojmë me nder dhe respekt. Amaneti i dëshmorëve duhet të jetë në ndërgjegjen e secilës qeveri që vije sepse sa të ketë shqiptarë, në vazhdimësi duhet të punohet që të jetësohet amaneti i dëshmorëve”, ka thënë ai para gazetarëve.

Edhe Kurti në homazhe për Xheladinin e Balajn: Protestonim kundër Pakos së Ahtisaarit me shumë koncesione Arbëri Kurti në homazhe për Xheladinin e Balajn: Protestonim kundër Pakos së Ahtisaarit me shumë koncesione

Homazhe pranë pllakës përkujtimore për dy aktivistët ka bërë edhe kryeministri Albin Kurti me kabinetin qeverisës e deputetë të Lëvizjes së Vetëvendosjes. Derisa ka kujtuar të shtunën e 10 shkurtit të 16 vjetësh më parë, Kurti ka kujtuar edhe 80 protestuesit të cilët janë plagosur.

“232 plumba gjithsej u shkrepën në trupat e kokat e qytetarëve nga policia e UNMIK-ut në një situatë ku asgjë nuk shihej prej gazit të shumët lotsjellës. Arben Xheladini e Mon Balaj u vranë, kurse 80 demonstrues të tjerë u plagosën rëndë e lehtë. Hysni Hyseni e humbi syrin, Mustafë Nerijova e ka sot ende një pjesë plastike në kafkën e kokës, kurse Zenel Zeneli e mban plumbin akoma afër zemrës se nuk do të arrinte t`i mbijetonte ndërhyrjes kirurgjike”, ka thënë Kurti para të pranishmëve, pasi bëri homazhe.

Për Balajn e Xheladinin, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se kanë rënë dëshmorë në mbrojtje të vlerave të lirisë barazisë, demokracisë e për vetëvendosjen e Republikës. Ai është zotuar se do të vazhdojnë të kërkojnë vendosjen e drejtësisë

“Vitet nuk e zbusin dhimbjen për këta pishtarë të guximit, idealizmit të virtytshëm dhe aktivizmit qytetar të pathyeshëm. As zemërimin e pafund për drejtësinë e munguar ndaj atyre që kryen aktin mizor dhe u arratisën nga vendi i krimit. Vendosja e drejtësisë dhe dënimi i autorëve të krimit të 10 shkurtit 2007 mbetet kërkesë e jona parësore. Sepse, siç thuhet, kur padrejtësia qesh në tryezë, drejtësia qan pas porte”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka përmendur veprimet që ka ndërmarrë lidhur me zbardhjen e rastit të dy aktivistëve, por që nuk ka treguar cilat janë rezultatet. Haxhiu ka thënë se vrasja e Balajt e Xheladinit ka ngritur alarmin për korrigjimin e padrejtësisë që bëhej me pakon e Ahtisaarit.

Edhe Mbahen homazhe te pllaka përkujtimore në nderim të Arben Xheladinit dhe Mon Balaj Arbëri Mbahen homazhe te pllaka përkujtimore në nderim të Arben Xheladinit dhe Mon Balaj

“Në vitin 2009 ishte hapur rasti për hetimin e vrasjes së Monit dhe Arbenit. Para tri vitesh, zyrtarisht si ministre u jam drejtuar autoriteteve rumune me shkresë për informacione lidhur me detajet procedurale dhe veprimet e ndërmarra për vrasjen e aktivistëve protestues. Vitin e kaluar, rastin e kam adresuar edhe te Sekretari i Kombeve të Bashkuara për të kërkuar informata lidhur me nivelin e zhvillimit të procedurave dhe marrjen e përgjegjësisë nga policia rumune”, ka shkruar Haxhiu.

Mon Balaj e Arben Xheladini u vranë me plumba gome nga policë rumunë që vepronin në kuadër të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), më 10 shkurt 2007 në protestën e Lëvizjes Vetëvendosje. Që prej atëherë, askush nga autoritetet ndërkombëtare nuk ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e tyre dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve, e as përgjegjësinë për zbardhjen e këtij veprimi me pasoja tragjike.