Memli Krasniqi, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi janë konfirmuar 78 vota.
“Deri tash janë të konfirmuara 78 vota, deri nesër kur demarkacioni të hidhet në votim presim të bëhen votat e nevojshme për miratim”, tha Krasniqi.
Ai u pyet se ku do të sigurohen edhe dy votat që duhen për të kaluar marrëveshja në Kuvend.
“Në Kuvendin e Kosovës prej deputetëve të Kuvendit të Kosovës, prej atyre që do të jenë racionalë për t’i vënë interesat e qytetarëve të Kosovës, pa dallime, para interesave të tyre partiake, ose politike”, tha Krasniqi, raporton Kallxo.com.
Ai deklaroi se mbledhja e sotme e Kryesisë më shumë është marrë me organizimin e seancave të reja dhe vazhdimin e atyre të vjetrave.
Edhe sot, sikurse edhe gjashtë ditë më parë, në mbledhje nuk kishte përfaqësues të Listës Serbe.