Nga gjithsej 118 kandidatët që iu nënshtruan testimit me shkrim për lincencim dhe rilicencim si instruktorë të ngasjes, vetëm 38 kanë arritur që ta kalojnë provimin e mbajtur më 8 dhe 9 shkurt. Këshilltari i Ministrisë së Infrastrukturës, Berat Ganiqi, e kualifikon si shqetësues numrin e ulët të instruktorëve që nuk arrijnë ta kalojnë testin për vazhdimin e ushtrimit të kësaj veprimtarie
Nga gjithsej 42 instruktorët e ngasjes që iu nënshtruan testimit me shkrim të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, të mbajtur më 8 dhe 9 shkurt, vetëm 13 e siguruan të drejtën për ta vazhduar ushtrimin e kësaj veprimtarie. Ndërkaq nga 76 kandidatët që iu përgjigjën pyetjeve në testin për licencim për herë të parë, pjesën teorike arritën që ta kalonin vetëm 25.
Numri i lartë i kandidatëve të rënë në këtë test është kualifikuar shqetësues nga përfaqësuesit e Ministrisë përgjegjëse për procesin.
Berat Ganiqi, këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës, ka numëruar si veçanërisht shqetësues përgjigjet e shumta të pasakta që janë dhënë prej atyre që veçse e kanë poseduar licencën e instruktorit.
“Gjatë rilicencimit pothuajse afër një e katërta e atyre që iu kanë nënshtruar testimit e kanë kaluar testimin, pjesa tjetër ka rënë nga ky test dhe pritet t’i nënshtrohet gjatë muajve në vazhdim. Ky është një shqetësim i madh për ne, për shkak se është paraparë që ata kandidatë, të cilët do të rilicencohen, do ta kalojnë testin shumë lehtë porse ka pasur edhe nga ata kandidatë që nuk kanë ditur t’i dallonin as shenjat e komunikacionit”, ka thënë Ganiqi.
Krahas me instruktorët, Ganiqi thotë se një problematikë e ngjashme është theksuar edhe mes kandidatëve për ekzaminerë. Sipas tij, brenda gjashtë muajve pritet që testimi i të dy palëve të zhvillohet vetëm online.
“Për ne është shqetësuese se si një pjesë e madhe e kandidatëve për rilicencim të instruktorëve, po ashtu edhe ekzaminerëve, për rilicencim nuk arrijnë ta kalojnë testin dhe nuk arrijnë t’i plotësojnë as disa përgjigje elementare që është dashur të jenë për ta”, është shprehur Ganiqi.
Në testimin e mbajtur më 2 shkurt për ekzaminerët ishte shpërfaqur edhe telashi me rrjedhjen paraprake të pyetjeve të testit. Për këtë arsye, Hysen Durmishi, zëvendësministër i Infrastrukturës, pati njoftuar në emisionin “60 Minuta” të KTV-së se ka marrë vendim për anulimin në tërësi të procesit të provimit.
“Pas mbajtjes së provimit kam marrë mesazhe anonime, ku më kanë dërguar edhe foto, që shablloni i testit që ka qenë atë ditë ka rrjedhur dhe dikush prej kandidatëve e ka marrë atë. Në momentin që e kam marrë atë mesazh, kam kërkuar nga komisioni që i përpilon testet që të ma sjellin testin të cilin e kanë përdorur dhe e kanë verifikuar që është i njëjtë me një gabim të qëllimshëm që është bërë. Dhe kandidatët të cilët kanë kaluar e kemi vërejtur se edhe ata e kanë bërë të njëjtin gabim që ka qenë në test i qëllimshëm, pra, shihet se ata e kanë plotësuar sipas shabllonit sepse përndryshe nuk do ta bënin gabimin e njëjtë të gjithë”, ka thënë Durmishi.
Gjatë këtij testimi nga 19 kandidatët për ekzaminerë, provimin e patën kaluar 6 syresh. Ndërkaq për parregullsitë e ngritura Ministria i ka referuar Policinë e krimeve ekonomike dhe Prokurorinë për inicimin e hetimeve.