Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ministria çon në Polici e Prokurori “dallaveret në testin për ekzaminerë”

2

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se anulimi i provimit për ekzaminerë që ka ndodhur së fundmi, është bërë pasi është konstatuar se ka pasur rrjedhje të shabllonit të testit që ka qenë i paraparë për atë ditë.

Durmishi ka thënë se kishte marrë mesazhe anonime një ditë pas testit, se dikush prej kandidatëve e ka pasur shabllonin e testit.

Kjo sipas tij ka ndodhur për shkak se testimi për ekzaminerë nuk është futur ende në kuadër të e-testimit që po bëhet për kategorinë për patentë-shoferë.

“Për të gjitha kategoritë e-testimit, kandidatët pjesën teorike e japin përmes e-testimit dhe kjo është një përparësi e madhe sepse ka ndikuar shumë edhe në uljen e nivelit të korrupsionit. Mirëpo pjesën për ekzaminerë ende nuk e kemi futur në kuadër të sistemit të e-testimit dhe është mbajtur provimi në mënyrë manuale dhe pas mbajtjes së provimit kam marrë mesazhe anonime ku më kanë dërguar edhe foto që shablloni i testit që ka qenë atë ditë ka rrjedhur dhe dikush prej kandidatëve e ka marrë atë”, ka thënë Durmishi në “60 Minuta” të KTV-së të enjten.

Ai ka shpjeguar se si është konstatuar rrjedhja e shabllonit të testit.

“Në momentin që e kam marrë atë mesazh kam kërkuar nga komisioni që i përpilon testet që të ma sjellin testin të cilin e kanë përdorur dhe e kanë verifikuar që është i njëjtë me një gabim të qëllimshëm që është bërë, dhe kandidatët të cilët kanë kaluar e kemi vërejtur se edhe ata e kanë bërë të njëjtin gabim që ka qenë në test i qëllimshëm, pra shihet se ata e kanë plotësuar sipas shabllonit sepse përndryshe nuk do ta bënin gabimin e njëjtë të gjithë. Atë ditë 6 kanë kaluar nga 19, ne këtë e kemi dërguar menjëherë në organet që duhet të merren me këto çështje, dhe e kemi anuluar provimin për të gjithë sepse aty është vërejtur se ka pasur shkelje dhe jemi duke provuar që gjatë këtyre ditëve që të gjitha ato pyetjet t’i fusim përmes sistemit elektronik dhe ta bëjmë me e-testim shumë shpejtë. Policia e krimeve ekonomike e Prokuroria e kanë për detyrë që ta ndjekin dhe ta qojnë deri në fund këtë rast”, ka thënë Durmishi.