Arbëri

Vetëdijesimi i grave, ndër shkaqet e rritjes së raportimeve të dhunës në familje

Erza Kurti nga Rrjeti i Grave të Kosovës ka thënë se që nga fillimi i pandemisë në Kosovë është raportuar rritje prej 30 për qind e rasteve të dhunës në familje, krahasuar me një vit më herët. Sipas saj, rritja e raportimeve është për shkak të vetëdijesimit të grave se dhuna duhet të raportohet.

Më 2019, Kurti ka thënë se ishin raportuar 1915 raste të dhunës në familje. Më së shumti janë raportuar për dhunë ndaj grave.

“Nga fillimi i pandemisë u bë një monitorim edhe prej nesh dhe organizatave të tjera. Izolimi ka ndikuar në gjithë botën, por nëse i shohim statistikat nga viti në vit shohim se ka rritje të rasteve. Kjo mund të ndodhë sepse është rritur vetëdijesimi se dhuna duhet të raportohet si shkas i shumë fushatave. Mund të themi se është edhe një vetëdijesim për rritje të raportimeve. Por duhet të dimë që gjatë izolimit mund të ketë shumë raste të paraportuara për shkak të vështirësive të jetesës me një abuzues në formë të izoluar”, ka thënë ajo në Interaktiv të KTV-së.

Kurti po ashtu ka thënë se pika kyçe e raportimit ka qenë në momentin kur viktimat ndihen jashtëzakonisht të rrezikuara apo kur ndodh ndonjë vepër e rëndë, që ndoshta edhe dikush tjetër e raporton rastin.

“Ka pasur raste kur kanë jetuar 40 vjet pa raportuar raste. Ndër arsyet është mentaliteti patriarkal që e lë fajin te gratë që edhe duhet të ruhet familja edhe të kujdeset për fëmijët. Edhe gjatë monitorimit në gjykata kemi vënë re se gjyqtarë e punëtorë socialë i lusin gratë t’u kthehen bashkëshorteve që të ‘mos i bëjnë punët e vogla të mëdha’. Këto janë shtysë që gratë hezitojnë të raportojnë dhunën kur s’kanë mbështetje institucionale. Por janë edhe kushtet ekonomike. Andaj duhet të funksiononte programi i rehabilitimit”, ka thënë ajo duke kërkuar edhe banesa sociale për gratë që ndihen të rrezikuara të jetojnë në shtëpi me bashkëshortin.