Arbëri

Veseli thotë se vendit po i mungon një vizion strategjik, s’e fsheh ambicien për kryeministër

PDK-ja, partia aktualisht më e madhe në vend është e gatshme të shkojë në zgjedhje qysh nesër, nëse, siç ka thënë kryetari i saj, Kadri Veseli, preket interesi i qytetarëve.

“Kam thënë edhe më herët, me marrëveshje politike në mënyrë dinjitoze qoftë edhe nesër si Parti Demokratike e Kosovës mund të shkojmë në zgjedhje. Për vizion, për interesa të qytetarëve mund të kemi zgjedhje çdo moment”, u shpreh Veseli në emisionin “Ekonomia me Erëzën”, transmeton koha.net.

Kohëve të fundit, pos mocionit të iniciuar për rrëzimin e qeverisë, janë shtuar edhe zërat brenda koalicionit qeverisës, për zgjedhje të parakohshme.

Tutje, Veseli ka thënë se “ajo që po i mungon vendit aktualisht vendit është një vizion strategjik, e që ndoshta do vijë me kohën sepse kemi vetëm 9 vjet shtet”.

“Por, rinia jonë, populli jonë po dëshiron lëvizje më të shpjet dhe do ta ketë shumë shpejt këtë ndryshim”, ka deklaruar Veseli.

Veseli gjatë emisionit nuk i ka mohuar pretendimet e tij për postin e kryeministrit të vendit, madje ai ka theksuar se një qeveri nuk duhet të ketë prioritet vetëm marrëveshjen për demarkacion dhe asociacionin e komunave me shumicë serbe.