Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Veseli thotë se s’mund të ketë ndarje të Kosovës dhe se kjo është më shumë garë elektorale

Ndarja e Kosovës nuk do të jetë asnjëherë pjesë e dialogut me Serbinë. Kështu ka deklaruar sot kryeparlamentari Kadri Veseli me ç‘rast ka thënë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, duke e quajtur të pavërtetë debatin për këtë çështje.

Ai duke komentuar deklarimet e Presidenti Hashim Thaçi për mundësinë e “korrigjimit të kufirit” me Serbinë, tha se Kosova është e interesuar për integrim, por asnjëherë duke cenuar sovranitetit e vendit.

“Ndarja e Kosovës nuk do të jetë asnjëherë në tavolinën e bisedimeve të cilat i kemi në dialog. Kosova nuk ka asgjë për të dhënë. Ne do të shkojmë në dialog. Jemi të vendosur që të ecim përpara në anëtarësimin e Kosovës në OKB, në BE dhe në institucionet euroatlantike të cilat janë interes i joni”, tha ai.

Tutje, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), shtoi se çështja rreth territorit e ngjallur ditëve të fundit po shërben për të qëruar hesape dhe inate.

“Debati të cilin kanë ngjallur, për të cilin po flitet është në radhë të parë një garë elektorale dhe në të njëjtën kohë ka shumë të pavërteta dhe shumë inate. Nuk është duke i ndihmuar substancës të cilës ne jemi duke iu përkushtuar për shtetin tonë të pavarur dhe sovran drejt OKB-së, BE-së dhe procesit të dialogut. Është duke krijuar pasiguri. Në të njëjtën kohë është duke krijuar një frikë e cila është e paqenë”, theksoi ai.

Kryetari i Kuvendit ka përsëritur se nuk ka vend për shqetësime pasi që dialogu, sipas tij, do të thotë sovranitet dhe integritet territorial për Republikën e Kosovës.

Edhe Veseli: Asnjë centimetër tokë e Kosovës nuk guxon të bëhet pjesë e dialogut me Serbinë Arbëri Veseli: Asnjë centimetër tokë e Kosovës nuk guxon të bëhet pjesë e dialogut me Serbinë

Madje sipas tij, Kosova asnjëherë nuk ka qenë në pozitë më të mirë për të biseduar me vendet e tjera, duke pasur përkrahë SHBA-të dhe BE-në.

Presidenti Hashim Thaçi ditëve të fundit ka intensifikuar deklarimet rreth asaj që ai po e quan korrigjim të vijës kufitare me Serbinë duke pretenduar se Lugina e Preshevës mund t’i bashkohet Kosovës, por pa e përmendur nëse veriu i Kosovës do të kalojë brenda kufijve të Serbisë.