Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka udhëtuar sot për në Bruksel, ku nga autoritetet e Belgjikës do të kërkojë mbështetje për liberalizimin e vizave.
Sipas një njoftimi për media, gjatë kësaj vizite, kreu i Kuvendit të Kosovës do të pritet në takim të posaçëm nga homologia e tij, kryetarja e Senatit të Belgjikës, Christine Defraigne.
“Kryeparlamentari Veseli po ashtu do të ketë takime edhe me eurodeputetë të Parlamentit Evropian, me të cilët do të diskutojë për proceset integruese të Kosovës, me theks të veçantë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, thuhet më tej në njoftim.
Veseli do të takohet edhe me Grupin Ndër-parlamentar të Miqësisë Belgjikë- Kosovë, ndërsa do të ketë takime të ndara edhe me Dirk Van der Maelen, Kryetar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, si dhe me Siegrfied Bracke, Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit Belg.