Arbëri

Verifikimi për shtesat e fëmijëve, IAP: Ministria e Finanacave të publikojë vendimet lidhur me procesin

ap

Avokati i Popullit ka dhënë disa rekomandime për Ministrinë e Financave lidhur me pezullimin e pagesës së shtesës për fëmijë, pas ankesave të disa qytetarëve, kryesisht nga komuniteti serb, për pezullim të pagesës së shtesës së fëmijës për gjashtë muajt e fundit të vitit 2024.

Institucioni i Avokatit të Popullit i ka rekomanduar Ministrisë së Financave që çdo përfituesi të cilit i është pezulluar pagesa e shtesës për fëmijë, pas verifikimit t’i paguhen në mënyrë retroaktive të gjitha pagesat që kanë mbetur të papaguara.

Në letrën e tij thuhet se institucioni ka kryer hetime pasi ankuesit kanë thënë se Departamenti i Skemave Sociale në MF u ka kërkuar përfituesve verifikimin e dokumenteve për shtesën e fëmijës. Avokati i Popullit thotë se ankuesit i kishin dorëzuar dokumentet përmes qendrave për punë sociale e më pas edhe postës, por se përkundër kësaj pagesat nuk janë bërë, “duke mos pranuar njoftime apo shpjegime lidhur me çështjen”.

"Disa përfituesve të komunitetit serb u është kërkuar që të paraqiten në Agjencinë e Statistikave të Kosovës për ta verifikuar statusin e tyre të vendbanimit. Kjo është bërë për shkak se dëshmitë e tyre të ofruara, siç janë vërtetimet nga shkollat që ndjekin fëmijët dhe të dhënat e vaksinimit, nuk njihen nga sistemi shtetëror. Gjatë hetimit të rastit, Avokati i Popullit ka kërkuar nga zyrtarët e DSS-së që t’u ofroheshin të gjitha kopjet e vendimeve dhe të udhëzimeve mbi të cilën bazohej puna e këtij departamenti, por deri në përpilimin e këtij raporti Avokati i Popullit nuk i ka pranuar këto dokumente".

IAP thotë tutje se ka kërkuar nga zyrtarët e MF-së të gjitha kopjet e vendimeve dhe udhëzimeve ku bazohet puna e Departamentit të Skemave Sociale, por se të njëjtit nuk ia kanë dërguar ato.

“Dokumentet e tilla, siç është Vendimi i 31 tetorit 2024, që parasheh një proces të verifikimit të dokumenteve, por nuk përcaktohen dokumentet shtesë, të cilat u janë kërkuar qytetarëve përmes e-mailit, dhe dokumentet tjera, nuk gjendeshin të publikuara. Avokati i Popullit ka konstatuar se veprimet e MFPT-së kanë mundur të mos kenë për qëllim shkeljen e të drejtave të qytetarëve por i gjithë procesi i verifikimit në rend të parë ka qenë në kundërshtim me parimet e procedurës administrative. Dhe kjo ka pasur një efekt zingjiror në shkeljen e parimeve të sundimit të ligjit, në veçanti të fëmijëve të komunitetit serb, duke i vënë ata në një pozitë të pabarabartë dhe të pafavorshme, që në fakt përbën diskriminim mbi bazën e përkatësisë etnike”, thuhet në letrën drejtuar Ministrisë.

Avokati i Popullit i ka rekomanduar MF-së që pa vonesa të mëtejshme, të gjitha vendimet, udhëzimet dhe kushtet në lidhje me procesin e verifikimit të dokumentacionit të qytetarëve përfitues të shtesës për fëmijë të publikohen në mënyrë të qartë dhe transparente, në të dyja gjuhët zyrtare. Rekomandimi tjetër ka të bëjë me gjetjen e modaliteteve të përshtatshme për verifikimin e përmbushjes së kritereve.

MF: Pretendimet e Avokatit të Popullit për shtesat e fëmijëve dëmtojnë reputacionin e shtetit

1 d. më parë / 30 maj 2025 16:10
Objekti i Qeverisë / Ilustrim

Ministria e Financave e ka quajtur të pasaktë deklaratën e institucionit të Avokatit të Popullit lidhur me kërkesën për verifikimin e rezidencës për përfituesit e shtesave për fëmijë. MF ka thënë se kjo deklaratë e dëmton rëndë reputacionin e Kosovës. 

Avokati i Popullit ka konstatuar se veprimet e MF-së kanë mundur të mos kenë qëllim shkeljen e të drejtave të qytetarëve, por se i gjithë procesi i verifikimit “ka qenë në kundërshtim me parimet e procedurës administrative”. 

“Deklaratat e pavërteta për diskriminim mbi baza etnike të bëra sot në komunikatën e Avokatit të Popullit, pa u mbështetur në të dhëna empirike e pa as të vetmin argument, përveç se shkaktojnë paqartësi tek qytetarët, ato dëmtojnë rëndë edhe reputacionin e vendit tonë si vend që respekton të drejtat e barabarta për të gjithë”, thuhet në reagimin e Ministrisë.

Ministria ka thënë se verifikimi është bërë për t’u siguruar se nga shtesat përfitojnë familjen që jetojnë në Kosovë, për çka edhe ka pezulluar përkohësisht pagesat për një numër të kufizuar të përfituesve, duke kërkuar dokumentacion shtesë me qëllimin e verifikimit të vendbanimit të tyre.

MF-ja ka theksuar se përzgjedhja e familja është bërë paanshëm dhe nuk është ndikuar nga përkatësia etnike e përfituesve – shumica e ankuesve ishin të komunitetit serb. 

“Në deklaratën e Avokatit të Popullit të publikuar sot, i atribuohet kuptim negativ edhe kërkesës për regjistrim në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, kur në fakt kjo u mundëson një alternativë shtesë qytetarëve që nuk kanë dorëzuar dokumentacionin e plotë, që përmes ASK-së të konfirmojnë rezidencën dhe të rifitojnë të drejtën për përfitim nga shtesat për fëmijë. Vlen të theksohet se regjistrimi në ASK është një obligim ligjor për çdo qytetar rezident në Kosovë dhe nuk mund të konsiderohet diskriminues, aq më tepër nga një institucion tjetër shtetëror. Regjistrimi në ASK përveç se obligim ligjor, mundëson planifikimin më të mirë të politikave për të gjithë qytetarët pa dallim nacionalitetin e tyre”, thuhet në reagimin e ministrisë.