Arbëri

Vendimi për Naser Osmanin shtyhet për 8 shkurt

Trupi gjykues nuk ka arritur të marr vendim në rastin e deputetit të LDK-së, Naser Osmani, për shkak të, siç është thënë, kohës se shkurtër që kishte në dispozicion.

Shpallja e vendimit të gjykatës për këtë rast është shtyrë për datën 8 shkurt, raporton “Koha Ditore”.

Deputeti i LDK-së, Naser Osmani, pjesë e kësaj aktakuze është në cilësinë e anëtarit të Bordit të Agjencisë Kosovare për Privatizim (AKP). Pjesë e aktakuzës janë edhe Bahri Shabani, Melita Ymeraga, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu dhe Adrian Kelmendi që janë ose kanë qenë zyrtarë në AKP dhe biznesmeni Agim Deshishku i cili pati privatizuar fabrikën “FAN”.

Gjykimi për rastin “FAN” është njëri nga rastet e shënjëstruara për liberalizimin e vizave.

Sipas aktakuzës, Naser Osmani e Bahri Shabani akuzohen se në bashkëkryerje me persona tjerë zyrtarë dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nuk e kanë përmbushur obligimet në atë mënyrë që ua kanë mundësuar përfitimin e kundërligjshëm pasuror blerësit të Ndërmarrjes së Re “FAN-Podujevë”, Sh.P.K. të pandehurit Agim Deshishku në vlerën rreth 5.400.000.00 euro.

Zyrtarët e tjerë të akuzuar ngarkohen nga Prokuroria Speciale se nuk monitoruan investimet; nuk kanë ndërmarrë masa për zbatimin e kontratës si dhe nuk kanë verifikuar dokumentacionin financiar të dorëzuar nga investitori Deshishku.

Në anën tjetër investitori Agim Deshishku akuzohet për mashtrim i cili përmes dokumentacionit të rremë i ka lajthitur zyrtarët e AKP-së dhe përmes kësaj i ka shkaktuar këtij institucioni dëm financiar.