Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, e ka sqaruar idenë e tij për ritestimin e shoferëve. Lajmi se ministria ka vendosur t’i ritestojë të gjithë shoferët i ka irrituar ata.
Shoferët e automjeteve e shohin të gabueshëm dhe të padrejtë vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës, raporton KTV.
Por, ka edhe të atillë që thonë se ritestimi duhet t’iu bëhet atyre personave që patent shoferin e kanë blerë.
Vendimi i ministrit konsiderohet shkelje e të drejtave të njeriut.
Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, kjo është edhe zhvatje e qytetarëve, pasi këtë proces pritet ta udhëheqë një kompani private.
Shala ka theksuar se nëse një qytetar është pajisur me patentë shofer, ai nuk ka nevojë të hyjë më në ritestim nëse paraprakisht nuk ka shkaktuar kundërvajtje të rënda dhe nuk e ka rrezikuar sigurinë e qytetarëve.
Por ministri Pal Lekaj e ka sqaruar nismën e tij, dukë thënë se ritestimi do të bëhet për shoferët që kanë shumë gjoba.
Edhe
Vendimi i Ministrisë së Infrastrukturës për ritestim të shoferëve po konsiderohet i padrejtë
“Ritestimi i njohurive të rregullave të komunikacionit rrugor do të bëhet për të gjithë shoferët të cilët përsërisin në vazhdimësi kundërvajtjet në trafik dhe për të cilët, masat tjera si gjobat, tërheqja e pikëve negative dhe pezullimi i përkohshëm i patentë shoferit nuk kanë dhënë efekt”, ka thënë Lekaj.
Ministri i Infrastrukturës ka thënë se kjo po bëhet pasi që masat tjera, siç janë gjobat e larta, nuk kanë rezultuar në uljen e aksidenteve me fatalitet.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, raportet policore tregojnë se 3 persona kanë vdekur në aksidente të trafikut nëpër Kosovë.