Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vendet mosnjohëse njoftohen për hapat e fundit në dialog

Varg takimesh me shtetet mosnjohëse të Kosovës ka zhvilluar ditët e fundit emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Pas vizitës javën e shkuar në Prishtinë e Beograd, Lajçaku ka njoftuar për zhvillimin e dialogut të paktën katër shtete mosnjohëse.

Më 23 janar, Lajçaku në Twitter falënderoi Spanjën e Sllovakinë për mbështetjen dhënë dialogut. “U takova sot me ministrin e jashtëm të Spanjës, Malbares, për ta përditësuar atë për gjendjen e lojës në dialog. Ne kemi nevojë për progres të shpejtë në këtë moment kritik drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mirënjohës për Spanjën për mbështetjen e fortë ndaj përpjekjeve të BE-së”, pati shkruar Lajçak në Twitter për takimin me ministrin e Jashtëm të Spanjës, Jose Manuel Albares.

“E kam njoftuar për vizitën time të fundit dhe angazhimin tonë për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. E vlerësojnë përkrahjen e fortë të Sllovakisë ndaj të ardhmes së rajonit”, ka shkruar Lajçak për takimin me ministrin e Jashtëm sllovak, Rastislav Kaçer.

Emisari i BE-së ka pasur takim edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Qipros, Ioannis Kasoulides. “Ishte takim shumë i dobishëm për të diskutuar më të fundit e dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe për të këmbyer pikëpamjet tona”, ka thënë Lajçaku.

Të martën Lajçaku është takuar edhe me Sofia Grammatan, emisaren greke për Ballkanin Perëndimor. “Kam biseduar për përpjekjet e BE-së për avancim të normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe rolin e rëndësishëm të Greqisë në rajon”, ka njoftuar Lajçaku.

Edhe Costa: BE-ja s’mund t’ia kryejë detyrat e shtëpisë Kosovës Arbëri 1 muaj më parë Costa: BE-ja s’mund t’ia kryejë detyrat e shtëpisë Kosovës

Javën e shkuar, Lajçaku bashkë me katër zyrtarë të tjerë të lartë ndërkombëtarë, përfshirë këshilltarët e liderëve shtetërorë gjermanë, francezë e italianë dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin, Gabriel Escobar, qëndruan në Kosovë e Serbi për të diskutuar për planin evropian për dialogun. Nuk janë dhënë shumë detaje nga takimet. Megjithatë, Lajçaku u ankua për mungesë të mirëkuptimit nga ana kosovare, ndërsa në Serbi kualifikoi se ka qasje të përgjegjshme e vullnet për të marrë vendime të vështira. Qeveria në njoftimin zyrtar pati thënë se në takim kryeministri Albin Kurti ka shtruar nevojën për njohjen nga shtetet mosnjohëse të BE-së dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Janë pesë shtete të Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën: Spanja, Greqia, Qipro, Sllovakia e Rumania.