Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vendet e Ballkanit lëvizin drejt heqjes së romingut

Vendet e Ballkanit Perëndimor më 4 prill të këtij viti do të nënshkruajnë marrëveshjen për heqjen e çmimeve të shërbimeve roming, që zbatohet në kuadër të telekomunikimit. Pjesë e kësaj marrëveshjeje është edhe Kosova.

Tarifa e romingut nënkupton telekomunikimin dhe shërbimin që qytetarët e përdorin në një shtet tjetër, nga një qendër e operatorit të telefonisë mobile.

Këto tarifa janë kryesisht dyfish më të larta sesa ato që përdoren për telekomunikim brenda një shteti.

Marrëveshja për romingun ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, (Shqipërisë, Bosnjë Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Kosovës dhe Serbisë) është planifikuar të nënshkruhet në Samitin e dytë Digjital, që do të mbahet në Beograd.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka, i cili pret të jetë i pranishëm në këtë samit në Beograd, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se Kosova është e gatshme dhe ka përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme për këtë marrëveshje.

Lluka tha se më këtë pako do të ketë ulje të çmimeve të tarifave të romingut në mes vendeve të Ballkanit, e njëherësh do të mundësohet edhe thellimi i bashkëpunimit dhe do të shërbejë si urë komunikimi midis qytetarëve të këtyre vendeve.

Marrëveshja në tërësi, thotë Lluka, planifikohet të zbatohet në korrik të vitit 2021, kurse reduktimet në uljen e tarifave do të fillojnë nga 1 korriku i këtij viti.

“Deri në vitin 2021 do të ketë reduktime të obligueshme. Këto reduktime do të fillojnë nga 1 korriku i këtij viti. Për shembull, gjatë periudhës kalimtare për thirrje telefonike (llogaritur në euro), një minutë do të jetë 0.19 cent, për një mesazh (sms) 0.6 cent, kurse interneti do të jetë 2.5 centë për megabyte. Pastaj vitin tjetër zvogëlohen edhe më tutje, deri në eliminim të tërësishëm në vitin 2021”, tregon Lluka.

Heqjen e tarifave të telekomunikimit për vendet e Ballkanit Perëndimor e ka kërkuar Bashkimi Evropian, si formë lehtësimi për komunikimet ndërmjet qytetarëve.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë.

Artikuj të ngjashëm