Agim Veliu, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e ka quajtur kryeministrin Albin Kurti “kryemashtrues me ambicie diktatori”.
Në debatin e Kuvendit të premten, për dy vjetët e qeverisjes së Kurtit, ish-ministri i Kurtit në Qeverinë e shkuar, e ka cilësuar kryeministrin si shkatërrues të vendit.
“Albin, çove shumë pluhur e tym, qe besa edhe shkaktove edhe gjakderdhje deri sa erdhe në pushtet. Nga një shpëtimtar i proklamuar shpejt u bëre shkatërrimtar, për çfarë ishe dëshmuar ndër vite. Deri sa u ule aty ku je, i përgjake edhe rrugët, jo me gjakun tënd, por të atyre që të besuan verbërisht dhe i manipulove vazhdimisht. Deri sa bëje politikën e rrugës, sulmoje institucione, policinë e këdo që të doli përpara, kur hyre në Kuvend kolegët deputetë deshe t’i verbosh me gaz lotsjellës. I bëre të gjitha për të ardhur në pushtet. Veprove sipas maksimës: Qëllimi arsyeton mjetet, në rastin tënd dhunën dhe shkatërrimin”, ka thënë Veliu që e ka akuzuar Kurtin edhe për “kapje të shtetit”.
“Qëllimi u arrit. Erdhe në pushtet me moton çkapjen e shtetit për ta kapur vetë më fort. Kape borde institucionesh e kompanish publike, me burra e gra, vëllezër motra e baxhanakë ministrash e deputetësh. Kushëri, dajë e teze që në fushatë thoshe se janë vetëm për dasma. Brigadës tënde të kuqe iu bashkuan edhe dështakët nga kampet me traditë në shtetndërtim sepse i besuan kauzës sende të mashtrimit. Braktisën shtëpinë ku u rritën... Erdhe me premtime të mëdha për ta çkapur shtetin. Bëre shumë premtime, shite patriotizëm, moralizove shumë. S’dua të merrem me premtimet e kryemashtruesit Kurti që me kauza të rreme kapi fronin. E vetmja gjë që bëre ishte shkaktimi i krizave dhe varfërimi i popullit. Ke vendosur të qeverisësh me logjikën e diktatorit. Sa më shumë të varfërosh dhe t’ia trashësh zullumin popullit aq më shumë do të përulen”, ka thënë më tej deputeti i LDK-së.
Veliu e ka quajtur Kurtin edhe “mashtrues me kravatë”.
Sipas Veliut, në dy vjetët e Qeverisë Kurti nuk ka pasur asnjë ndryshim pozitiv në Kosovë.
Edhe
Kurti shpall fitoren, thotë se është i gatshëm për bashkëpunim me partitë e tjera
“Vështirë të numërohen krejt dëmet që ia shkaktove vendit për dy vjet.Ata që të besuan verbërisht iu mjaftuan dy vjet për ta kuptuar se cili je. Ata që të votuan do ta kthejnë shpinën ty dhe po të braktisin ty dhe vendin”, ka deklaruar Veliu. “Sa më shpejt të ikësh, më mirë për ty e për Kosovën që po e çon drejt humnerës. Ti që po dëshmohesh si supermashtrues nuk i beson as vetes. I beson vetëm ambicies tënde të sëmurë prej diktatori”, iu drejtua më pas Veliu-Kurtit.
Seanca për dy vjetët e Qeverisë Kurti, e nisur të enjten dhe që vazhdoi të premten, është ndërprerë e do të vazhdojë edhe të mërkurën.