Asistenti i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, Driton Vela, deklaroi se do t’i radikalizojnë veprimet dhe do të ketë padi nëse menaxhmenti dhe dekanja e këtij institucioni s’e lejon atë dhe disa asistentë të tjerë të avancohen.
Ai tha në Interaktiv të KTV-së të mërkurën se menaxhmenti i Fakultetit e ka bllokuar këtë proces, derisa shtoi se dekanja nuk ka pranuar as të takohet me ta.
“Kemi një palë që kërkon të zbatohet ligjshmëria dhe në anën tjetër kemi një menaxhment që i kundërshton pretendimet tona. Rrugës i shfrytëzon edhe afërsitë me akterë të ndryshëm...Kemi kërkuar në mars të vitit të kaluar takim me menaxhmetin e Fakultetit por s’ka ndodhur. Dekanja s’ka pranuar të na takojë, prodekanët s’kanë pranuar të ofrojnë zgjidhje në drejtim të organeve vendimmarrëse, pavarësisht se në mënyrë gojore na kanë ofruar përkrahje si pjesëtarë të stafit akademik. Por, asgjë e shkruar në letër”, deklaroi Vela.
Sipas asistentit, Fakulteti i Mjekësisë është vështirë të avancojë staf meritor, pasi siç tha ai, kjo mund të ndodhë “nëse ke fat ose nëse ke lidhje me njerëz të fortë”. Vela shtoi se Fakulteti i ka vetëm 100 profesorë, ndërsa kjo sipas tij, s’është fare e mjaftueshme.
“Me vende të tjera raporti del 1 me 6. Sa kishte nevojë për profesorë në Fakultetin e Mjekësisë e ka treguar humbja e akreditimit e programeve studimore...Punimet tona janë përdorur për të siguruar akreditimin e programeve. Problemi është që KSHC-ja ka caktuar periudhë tranzitore që mund të përdoren punimet e stafit që s’janë profesorë...Fakulteti i Mjekësisë nëse vazhdon kështu do të rrezikojë akreditimin e programeve, e ky s’është skenar që duhet t’i ndodhë një fakulteti me traditë. E kemi një statut të QKUK-së që ekzistenca e klinikave të QKUK-së sigurohet duke pasur profesorë, edhe në këtë kontekst rrezikohet ekzistimi i klinikave”, theksoi ai.
Vela shtoi se i ka 13 punime shkencore si asistent, ndërsa tha se ka profesorë të rregullt që nuk kanë fare punime.