Dekania Suzana Manxhuka-Kërliu është akuzuar nga asistentët e Fakultetit të Mjekësisë, se po e pengon avancimin e tyre akademik. Ata kanë thënë se dekania po e favorizon stafit me të cilin, sipas tyre, ka marrëdhënie klienteliste. Për këtë kanë kërkuar nga institucionet e drejtësisë që t’i nisin hetimet. E, dekania Manxhuka-Kërliu i ka mohuar pretendimet e asistentëve
Disa nga asistentët në Fakultetin e Mjekësisë kanë drejtuar të enjten akuza ndaj dekanes Suzana Manxhuka-Kërliu për deklarim të rremë të fondit të orëve mësimore për ta penguar avancimin e tyre.
Përplasja për procesin e avancimin në pozitë ka nisur në Fakultetin e Mjekësisë që nga fillimi i këtij viti akademik, meqë dekania e Fakultetit refuzon ta zbatojë tërësisht rregulloren për të ardhurat personale të stafit akademik, shtesat sipas funksioneve e kompensimet e tjera në Universitetin e Prishtinës, e cila përfshin rritjen e grupimeve të ligjëratave, e që nënkupton shtim të normës së orëve.
Asistentët, të cilët të enjten mbajtën konferencë për media para dekanatit, kanë kërkuar shkarkimin e dekanes.
Specialisti i mjekësisë interne, Driton Vela, ka thënë se dekania përpos që është duke penguar avancimin e tyre, me refuzimin për ta zbatuar rregulloren, është duke ulur cilësinë në mësimnxënie.
“Për vetë faktin që vitin e kaluar janë pranuar 200 studentë në drejtimin Mjekësi e Përgjithshme, atëherë automatikisht është dashur të rriten grupimet”, ka thënë Vela.
Edhe
Asistentët që presin avancimin e akuzojnë dekanen për abuzim me pozitën
Aktualisht në Fakultet procesi mësimor zhvillohet me dy grupime.
“Nuk ka legjitimitet në këtë mënyrë të mbarëvajtjes së procesit mësimor në Fakultetin e Mjekësisë, të cilat rrjedhimisht edhe e dëmton stafin akademik sepse shtimi i numrit të grupimeve nënkupton rritjen e fondit të profesorëve”, ka shtuar Vela.
Në shkurt të këtij viti, Këshilli i Fakultetit propozoi 17 pozita për avancim nga asistenti në profesor. Në Fakultetin e Mjekësisë janë gjithsej 49 asistentë.
Sipas kardiologut Artan Ahmetit, propozimi i Këshillit është për ta favorizuar stafin me të cilët dekania ka marrëdhënie klienteliste, sipas tij.
“Realisht nuk janë 17 pozita, por 17 emra të cilët ne i dimë, të cilët janë klientilistë të dekanes së Fakultetit të Mjekësisë, të cilët pretendohen të avancohen në konkursin e ardhshëm. Në momentin e hapjes së konkursit ne qoftë se vazhdon kështu, ne do t'i publikojmë rezultatet e këtij konkursi sepse ata dihen paraprakisht”, ka thënë ai.
Edhe
Protestojnë asistentët e Mjekësisë: Rektorati po i lë katedrat pa profesorë
Për këtë, disa nga asistentët i kanë bërë thirrje Drejtorisë për Krime Ekonomike për ta hetuar dekanen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
E dekania Manxhuka-Kërliu i ka mohuar akuzat e asistentëve, duke thënë se propozimi i Këshillit është bazuar në normën aktuale të orëve.
“Pozitat janë propozuar nga Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë bazuar në nevojat dhe ngritjen e cilësisë së organizimit të mësimit dhe në dobi të studentëve që të arrijnë kompetencat e nevojshme për t’u bërë mjek sipas direktivës evropiane për profilet e caktuara shëndetësore”, ka thënë Manxhuka-Kërliu. Shtoi se është kundër hapjes së pozitave që bien ndesh me normën aktuale.
Pas ndryshimit të rregullores në shtator të vitit të shkuar, Fakultetit të Mjekësisë i kërkohej që nga dy grupime, sa zhvillon ligjëratat, të krijonte shtatë grupime. Kjo u konsiderua e papranueshme nga menaxhmenti i Fakultetit, duke thënë se një gjë e tillë nuk mund të realizohet për shkak të hapësirave të vogla infrastrukturore.
Edhe
Maturantët me akuza për favorizim gjatë regjistrimit në Mjekësi
Dekanja Manxhuka-Kërliu pati theksuar se u rrezikohej akreditimi, meqë, sipas kushteve që i ka pranuar programet Agjencia e Kosovës për Akreditim, është paraparë që ligjëratat të mbahen në dy grupe.
Edhe nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë është thënë se çdo ndryshim do të kushtonte me heqjen e akreditimit.