Shkrimtari dhe gazetari Avdi Shala ka vdekur të mërkurën në moshën 84-vjeçare, duke lënë pas një krijimtari të pasur që shënoi letërsinë shqipe për fëmijë për më shumë se pesë dekada.
I lindur në vitin 1942 në fshatin Kishnarekë të Drenasit, Shala mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme dhe studimet në Fakultetin Filozofik, në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, i përfundoi në Prishtinë.
Për shumë vite punoi si mësimdhënës në shkolla të Drenicës, Obiliqit dhe Mitrovicës, ndërsa për një periudhë ishte edhe gazetar në gazetën “Kosova” të Elektroekonomisë së Kosovës.
Avdi Shala konsiderohet një ndër autorët më prodhimtarë të letërsisë shqipe për fëmijë. Krijimtaria e tij u dallua për afërsinë me lexuesit e vegjël dhe trajtimin artistik të temave edukative, duke botuar dhjetëra vepra me poezi, tregime, pjesë teatrale dhe romane.
Ndër veprat e tij më të njohura janë “Lulishtja” (1967), “Xum, xum, xum” (1973), “Voçerraku me tufën e rrezve” (1975), “Njeriu me kapelë të verdhë” (1984), “Viti i ikjeve” (1987), “Abetarja ime” (1988), “Djaloshi i padukshëm” (1989) dhe “Kapedan Karameli” (2014).
Për kontributin e tij në letërsi, Shala ishte laureat i çmimeve “Sofra poetike” dhe “Ymer Elshani”.