Arbëri

Vdiq ish-shefi i Zyrës së SHBA-së në Kosovë, ambasadori John Menzies

Ish-Shefi i Zyrës së SHBA-së në Kosovë, ambasadori John Menzies, ka vdekur, ka bërë të ditur të hënën, presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Ajo shkroi në Twitter se ambasadori Menzies ishte mik i madh i Kosovës dhe se në ditët më të errëta, i përforcoi thirrjet për paqe dhe pavarësi.

“Ambasadori John Menzies, një mik i madh i vendit tonë dhe ish-shefi i Misionit në Kosovë, ka ndërruar jetë fatkeqësisht. Ai shërbeu në ditët tona më të errëta dhe përforcoi thirrjet tona për paqe dhe pavarësi. Ngushëllime të sinqerta familjes dhe miqve të tij”, tha Osmani.

Menzies shërbeu në Kosovë menjëherë pas luftës, kur SHBA-ja dhe shtetet tjera nuk kishin ambasada, por vetëm zyre, meqë vendi ende nuk kishte shpallur pavarësinë.

Për vdekjen e Menzies ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier nëpërmjet Facebookut.

“Ne e vajtojmë humbjen e kolegut dhe diplomatit të shquar, ambasadorit John Menzies. John ishte një avokat i palëkundur për sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Si diplomat dhe mësues ai preku jetë dhe ndërtoi ura të qëndrueshme midis Ballkanit, Lindjes së Mesme dhe SHBA”, ka thënë Hovenier.