Është ndarë nga jeta në moshën 87-vjeçare, Amir Agani, një nga farmacistët më të njohur në Kosovë. Oda e Farmacistëve të Kosovës ka vlerësuar lartë kontributin e tij në sektorin farmaceutik duke e cilësuar Aganin si doajen të farmacisë.
“Puna e z. Agani do të jetë udhërrëfyesi më i mirë për ndërtimin e gjeneratave të reja të farmacistëve”, thuhet në shkrimin e Odës së Farmacistëve në Facebook.
Siç kanë njoftuar familjarët e Aganit, varrimi i tij do të bëhet në orën 13:00 sot në varrezat e qytetit të Prishtinës.
Biografia e shkurtër e Aganit, publikuar nga Oda e Farmacistëve:
Agani u lind në Gjakovë më 1936. Ai kreu shkollën e mesme në Prishtinë e Fakultetin e Farmacisë në Zagreb. Diplomoi më 1961.
Edhe
Vdiq ish-kryetari i Prishtinës, Salih Gashi
Pas diplomimit punoi 6 muaj në Laboratorin e Biokimisë pranë Spitalit të Përgjithshëm në Prishtinë. Më pas kaloi në barnatoret e Prishtinës ku së pari u emërua shef i Barnatores së Parë, e pas dy vitesh ishte emëruar drejtor i Barnatoreve të Prishtinës në kuadër të Barnatoreve të Integruara të Kosovës ku punoi në këtë post deri në vitin 1978, kur e lëshoi këtë post për tu marrë me themelimin e ndërrmarrjes së parë kosovare për furnizim me artikuj mjekësorë me shumicë “Farmed” me seli në Prishtinë.
Ndërkohë Amir Agani kishte filluar qysh në vitin 1966 specializimin në degën e teknologjisë farmaceutike pranë institutit të Teknologjisë Farmaceutike të Fakultetit të Farmacisë në Beograd të cilin e përfundon në qershor të vitit 1978.
Agani ishte një ndër iniciatorët e parë të themelimit të Shoqatës së Farmacistëve të Kosovës dhe kryetar shumëvjeçar i kësaj shoqate e cila fillimisht kishte funksionuar si degë e Shoqatës Farmaceutike të Serbisë, dhe po ashtu ishte ndër iniciatorët e shkëputjes së Shoqatës Farmaceutike të Kosovës nga ajo e Serbisë.
Agani pas shkëputjes ishte edhe kryetari i parë i Shoqatës së Farmacistëve të Kosovës themeluar zyrtarisht në dhjetor të vitit 1975.
Agani si kryetar shumëvjeçar i Shoqatës Farmaceutike të Kosovës ishte edhe ndër iniciatorët kryesorë të përpjekjeve për sigurimin e kuadrit profesional farmaceutik në Kosovë dhe të hapjes së Fakultetit të Farmacisë pranë Universitetit të Prishtinës.
Edhe
Vdiq akademiku Tahir Emra
Agani ka marrë pjesë në botime të shumta në Kosovë dhe ish-Jugosllavi, ka qenë në grupin e autorëve të botimit të Farmakopesë Jugosllave. Gjithashtu ka botuar libirin “Historia e ilustruar e mjekësisë dhe farmacisë nga zanafilla në Iliri dhe trevat shqiptare” në vitin 2015 në Prishtinë.
Magjistër Agani për punën e tij është nderuar me mirënjohje të shumta nga shoqatat e ndryshme profesionale dhe është profili i farmacistit në numrin e parë të Revistës Farmaceutike të Odës së Farmacistëve të Kosovës.