Përfaqësues të partisë më të madhe opozitare kanë thënë se Kuvendi ka mjaftueshëm deputetët të tjerë pos atyre të PDK-së, po qe se Vetëvendosje është e interesuar ta zgjedhë presidentin. E në Vetëvendosje kanë theksuar se po bëhen përpjekje për të gjetur pajtueshmëri për propozime konkrete lidhur me këtë çështje
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se nëse Vetëvendosje nuk është e interesuar ta zgjedhë presidentin me partinë që ajo përfaqëson, le t’i japë zgjidhje situatës me deputetët e partive të tjera.
Ajo e theksoi këtë të martën, pasi deri tash kryeministri Albin Kurti që e drejton LVV-në, nuk i është përgjigjur kushtit të vënë nga partia kryesore në opozitë që takimit mes liderëve të të dyja partive t’i paraprijë një letër në format zyrtar.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ne kemi deklaruar që kjo çështje duhet të trajtohet me seriozitetin që i takon çështjes në fjalë dhe kemi kërkuar nga Albin Kurti që ta formalizojë kërkesën e tij karshi PDK-së, në një letër të shkruar. Deri në këtë moment një letër e tillë nuk ka ardhur në adrese të PDK-së, ndoshta ka adresa tjera”, ka thënë Çitaku.
Pas konstituimit të Kuvendit, Kurti ka zhvilluar takime me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, por të tilla kanë munguar pas aktgjykimit të Kushtetueses për presidentin.
E, me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, është takuar deri tash 4 herë, përfshirë një herë edhe pas aktgjykimit të fundit të Kushtetueses.
Në fund të javës së shkuar, Abdixhiku ka thënë se do një marrëveshje të madhe me LVV-në dhe se nuk e mbështet asnjë prej dy kandidatëve të saj për president.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, është shprehur se Kurti është duke u angazhuar që t’i japë zgjidhje situatës, me qëllimin për t’i evituar zgjedhjet e parakohshme.
“Kryeministri Kurti është duke vazhduar angazhimet e tij dhe unë besoj në ditët e mbetura, sepse nuk kanë mbetur edhe shumë ditë, të arrijmë një pajtueshmëri dhe një mbështetje, gjegjësisht propozime konkrete dhe të gjejmë një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit”, ka thënë Nagavci.
Bazuar në aktgjykimin e Kushtetueses, presidenti duhet të zgjidhet deri më 28 prill, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të parakohshme që duhet të organizohen brenda 45 ditëve.
Deklarimet e deputetëve janë bërë pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, të martën, në të cilën është vendosur që seanca e re plenare të mbahet të premten.
Në të do të trajtohet vendimi i Qeverisë për dërgimin e FSK-së jashtë vendit, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, si dhe projektligji për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Nënkryetari i parë i Kuvendit Ardian Gola, i cili e ka udhëhequr mbledhjen e kryesisë, ka thënë se ka pasur dakordim për shqyrtimin e Projektligjit për Byronë në këtë seancë.
“Mbetet të shihet disponimi i tyre politik në raport me përmbajtjen e cila tashmë është sponsorizuar nga Qeveria, ka kaluar në Komisionin funksional dhe pritet të kalojë në leximin e dytë. I presim kontributet e secilit deputet në mënyrë që të kemi një ligj i cili adreson sa më mirë që është e mundur këtë çështje”, ka thënë Gola.
E, nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Çitaku, ka deklaruar se qëndrimi i kësaj partie për Byronë do të bëhet i ditur në seancë.
“Këtu askush nuk po kërkon që t’i mbrojë ata që janë pasuruar jashtëligjshëm. Në fakt Kosova tashmë ka mekanizma të mjaftueshëm për t’i ndjekur secilin dhe secilën që është pasuruar në mënyrë të jashtëligjshme. Mirëpo ne jemi kundër që me ligje të tilla që janë shumë të rëndësishme, jo vetëm për infrastrukturën ligjore dhe kushtetuese të Kosovës, por edhe për rrugën tonë evropiane, të bëhen lojëra të ulëta politike”, ka theksuar ajo.
Në seancën plenare, mes tjerash do të zgjidhen edhe dy gjyqtarët e Kushtetueses nga 6 propozimet që kanë dalë nga Komisioni.