Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se është duke vazhduar të premten operacionin për identifikimin dhe regjistrimin e vikend-shtëpizave në zonën e Brezovicës.
“Qëllimi i këtij operacioni është identifikimi i ndërtimit të të gjitha objekteve në zonat e mbrojtura të parkut kombëtar, se në cilat zona janë ndërtuar ato, a posedojnë leje ndërtimore dhe të njëjtat a janë në pajtim me ligjin”, thuhet në njoftim të Prokurorisë.
Ky aksion i sotëm i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, është vazhdimësi i aksioneve të mëhershme në zonën e Brezovicës.
Aksioni po zhvillohet në bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë, Inspektoratin e Ministrisë së Mjedisit, Departamentin e Mbrojtjes së Mjedisit, Inspektoratin e komunës, Drejtorinë e Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Agjensinë Kadastrale të Kosovës.