Arbëri

Vazhdon aksioni i rrënimit të ndërtimeve pa leje në Hade, KEK-u përkrah këtë akison

Inspektorë të komunës së Obiliqit dhe ata të Ministrisë së Mjedisit, me mbështetje të forcave të policisë, dje kanë rrënuar themelet e disa shtëpive në fshatin Hade.

Për këtë aksion ka dërguar një komunikatë për media edhe KEK-u, kompani e cila thotë se me vendimin e qeverisë së Republikës së Kosovës për shpalljen e asaj zone “Zonë e Interesit të Veçantë Ekonomik” janë obliguar MMPH-ja dhe Kuvendi Komunal i Kastriotit/Obiliqit të zbatojnë këto vendime, respektivisht, ndalimin e ndërtimeve apo mbindërtimeve të reja.

“Në këtë drejtim KEK-u është njoftuar nga inspektorati i MMPH-së se sot do të ndërmerret një aksion për ta zbatuar ligjshmërinë konforme vendimeve të qeverisë, me çast ne fushën nga e cila duhet te furnizohen Termocentralet ekzistuese me qymyr, janë demoluar disa themele të sapo ndërtuara”, thotë KEK në një komunikatë për media.

KEK-u më tej thotë se në bazë të Ligjit për shpronësim dhe Kornizës së Politikave të Zhvendosjes, për këtë fushe të përfshirë në zonën e interesit të veçantë, me datë 24 tetor, 2016 është shpallur e ashtuquajtura data e prerjes (“cutt off date”), pas së cilës datë çdo veprim i ndërmarr rreth ndërtimeve të reja konsiderohet veprim ilegal.

“Për më tepër ndërtimi i objekteve ilegale në këtë zonë edhe vite më parë ka dëmtuar buxhetin e vendit dhe të KEK-ut, por edhe të qytetarëve duke ndikuar ne mënyrë te drejtpërdrejtë në tarifat e energjisë elektrike. Prandaj, KEK-u përkrahë çdo nismë të institucioneve vendore në zbatimin e ligjshmërisë”, thuhet më tej në këtë komunikatë.

Korporata Energjetike e Kosovës thotë se në zonën e zgjerimit të mihjes, sipas licencës, KEK-u së bashku me palët tjera të interesit “është duke zbatuar standardet më të mira që janë të ndërlidhura me zhvendosje dhe asnjë qytetar i vetëm legjitim nuk do të dëmtohet nga ky proces përkundrazi do të ketë përfitime më të larta të cilat janë të parapara me standardet e cekura me lartë”.

Në këtë vazhdë, KEK-u fton të gjithë banorët që të mos shpenzojnë mjete sepse do të ndeshen me zbatimin e ligjit, gjithashtu mos të lejojnë as të ndërtohet në pronat e tyre.

Njëherësh KEK-u falënderon inspektoratin e MMPH–së dhe inspektoratin e Komunës së Obiliqit për aksionin e sotëm lidhur me zbatimin e ligjshmërisë në këtë zonë.