Ministria e Shëndetësisë e udhëhequr nga Arben Vitia e ka paraqitur si marrëveshje të re vazhdimin e bashkëpunimit të kamotshëm me qendrën e onkologjisë pediatrike holandeze “Prinses Maxima”.
Të premten, MSH-ja nëpërmjet një komunikate bëri të ditur se “me qëllim të zgjerimit të bashkëpunimit për Programin e Binjakëzimit në lidhje me onkologjinë pediatrike, Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Univeristar i Kosovës nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit me Qendrën “Prinses Maxima” dhe “World Child Cancer-NL” të Utrecht, Holandë”.
Por në asnjë pjesë të komunikatës, MSH-ja nuk ka thënë se marrëveshja është vazhdim i bashkëpunimit të kamotshëm mes kësaj klinike dhe shtetit të Kosovës.
“Kjo marrëveshje ka për synim partneritetin ndërmjet palëve, optimizimin e kujdesit mjekësor për fëmijët me sëmundje malinje që trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në mënyrë që të rritet shkalla e mbijetesës për këta pacientë dhe të përmirësohet kujdesi për ta. Memorandumi do të ndikojë drejtpërdrejt në trajnimin, edukimin dhe këshillimin e mjekëve, infermierëve, teknikëve, hulumtuesve dhe profesionistëve të tjerë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në fushën e shërbimeve onkologjike për fëmijë”, thuhet tutje në komunikatë.
Ambasadorja holandeze në Kosovë, Carin Lobbezoo, në Twitter ka shkruar se është lajm i mrekullueshëm vazhdimi i bashkëpunimit mes Kosovës dhe klinikës “Prinses Maxima” edhe për pesë vjetët e ardhshme.
“Lajm i mirë për departamentin e onkologjisë së fëmijëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Sot QKUK dhe Prinses Maxima Center vazhduan bashkëpunimin për 5 vjetët e ardhshme. Gjithçka nuk është e mundur pa punën e palodhshme të Care for Kosovo Kids”, ka shkruar Lobbezoo në Twitter, duke konfirmuar se marrëveshja e Kosovës dhe “Prinses Maxima” është vazhdim i bashkëpunimit, e jo marrëveshje e re.
Edhe
Ramaj thotë se VV-ja nuk e shkëputi keqmenaxhimin në shëndetësi
Një marrëveshje të tillë e pati nënshkruar edhe Uran Ismaili në vitin 2018 kur ishte ministër i Shëndetësisë.
KOHA ka dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe është në pritje të përgjigjeve. Gjithashtu, ka kontaktuar në telefon me ministrin Arben Vitia, por ka qenë i paqasshëm.