Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vasolli thotë se teknikisht mund të ketë liberalizim sivjet

Besnik Vasolli, njohës i integrimeve evropiane, ka thënë se liberalizimi i vizave për kosovarët mund të vijë teknikisht për gjashtë muaj, por mund të ketë edhe zgjatje.

Sipas tij, Evropa mund të kërkojë raport shtesë për të parë përparimin në kriteret e caktuara për Kosovën.

“Afatet kohore është vështirë të vendosen sepse varet nga diskutimet. Ka shans që për Kosovën të ketë shumë diskutim. Ka mundësi të ketë edhe një raport shtesë se sa kemi arrit t’i realizojmë këto kritere. Mbetet të shihet a do të merret vendimi pas atij raporti apo jo. Teknikisht vendimi mund të merret brenda gjashtë muajsh pas publikimit të raportit, nëse shohim disa shtete, por është vështirë të thuhet me datë”, ka thënë ai në Express Intervistën në KTV.

Sipas tij, BE-ja duhet të tregojë vullnet për të proceduar më shpejtë rastin e Kosovës.

Sa i përket procedurave, Vasolli ka thënë se nesër pritet që Komisioni Evropian të dalë me raportin për Kosovë, edhe pse ka zëra se kjo mund të shtyhet për mes të korrikut.

Ai ka thënë se Evropa ka shprehur disa herë skepticizmin për zgjerim pasi i frikësohet migrimit të popujve.

Edhe Vasolli thotë se teknikisht mund të ketë liberalizim sivjet Video Vasolli thotë se teknikisht mund të ketë liberalizim sivjet

“Skepticizmi në BE për zgjerimin e mëtutjeshëm është se mund të ketë keqpërdorime nga shtetet e reja që hyjnë në BE. Këtë e kanë duke pas parasysh me shtetet e tjera si Bullgaria e Rumania kur kishte migrim më të madh”, ka shtuar ai.

Sa i përket kriterit të fundit për liberalizim, atë të luftimit të korrupsionit, Vasolli ka thënë se institucionet vendore duhet të bindin evropianët se ka pasur përparim, sidomos me vitet e shkuara dhe se progresi s’është vetëm për shkak të vizave, por se kjo është në interes të Kosovës si shtet. Ai ka komentuar edhe “presionin politik për gjyqësorin” duke thënë se gjyqësori duhet të jetë i pavarur dhe në të nuk duhet të ndikohet për përfundim më të shpejtë të rasteve, për shkak të një procesi politik.