Arbëri

Vasolli paralajmëron një vit me zbatimin më të ulët të kritereve për liberalizim të vizave

Image

Besnik Vasolli, njohës i çështjeve të integrimit evropian, thotë se së shpejti Kosova do të rrumbullakojë një vit me “shkarkim e ngarkim” të qeverive dhe për pasojë do të ketë zbatimin më të ulët të kritereve dhe obligimeve në procesin e liberalizimit të vizave.

Ai, i ftuar në emisionin “Desku” në KTV, tha se kjo nuk i përket Brukselit, por Kosovës.

“Një vit që jemi me shkarkim e ngarkim të qeverive, të themi ashtu. Kemi pa rënie të intensitetit në zbatimin e kritereve dhe obligimeve.

Do të kemi një vit me zbatimin më të ulët që kemi pasur ndonjëherë. Kjo s’ka të bëjë me Brukselin, por me neve, ka të bëjë me reformën administratës publike, me reformën në drejtësi, gjyqësor, për luftimin e korrupsionit, zhvillimin ekonomik e të tjera. Do të duhej të ishim më këmbëngulës së paku në këto kritere, të kemi konsensus më të gjerë dhe të mos ketë efekte negative”, ka thënë ai.

Vasolli thotë se Kosova në këtë kohë nuk ka dhënë shembullin që pritet prej saj, luftimin e korrupsionit.

“Fakti që ne nuk kemi parë ende ndonjë një rast konkret që gjykatat kanë zgjedh deri në fund, ato janë të pavarura, mjafton. Siç duket edhe në sistemin e drejtësisë kemi një lloj lodhje, njëfarë mangësie të efektivitetit, nuk kemi pa një dënim, ndonjë rast i mbyllur që do të mund të shërbente si argument shtesë që Kosova po e lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin. Mes rreshtave është kriteri i fundit diskutabil”, ka thënë ai.

Sipas tij, Komisioni Evropian lëshuar rekomandimin që Kosova ka zbatuar të gjitha kriteret, por shtoi se janë shtetet anëtare ato që kërkojnë të shohin nga institucionet e Kosovës të jenë të përkushtura për të luftuar femomenet negative.