Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Varrosen tre fëmijët që vdiqën nga shembja e një objekti në Jabllanicë

Në Jabllanicë të Gjakovës, të hënën, janë varrosur tre fëmijët që humbën jetën tragjikisht të shtunën në mbrëmje. Fëmijët, njëri i moshës 13 dhe dy të tjerë të moshës 15-vjeçare, vdiqën nga shembja e një objekti të pabanuar

Mes dhimbjes dhe pikëllimit të familjarëve, miqve dhe banorëve të fshatit Jabllanicë, të hënën u është dhënë lamtumira e fundit tre të miturve që vdiqën të shtunën si pasojë e shembjes së një objekti të pabanuar.

Në ceremoninë mortore morën pjesë qindra veta, përfshirë edhe liderë të institucioneve dhe ministra të kabinetit qeveritar. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Shoku i klasës së viktimave, Ledion Humaj, ka thënë se lajmi për ndarjen e tyre nga jeta ka qenë tronditës për të gjithë.

“Ne kishim nevojë për buzëqeshjen e tyre në shkollë, për lojën dhe ngrohtësinë që çdo ditë na e dhuronin. Lajmi për ndarjen  e tyre nga jeta ende pa e nisur atë na ka tronditur pa masë”, ka thënë Ledion Humaj. 

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, është shprehur se kjo është një ditë e rëndë për të gjithë dhe veçanërisht për familjet e të ndjerëve.

“Kjo është një ditë e rëndë e për secilin prej nesh. Ndoshta një prej ditëve më të rënda që i kemi përjetuar rishtazi, po nuk ka ditë më të rëndë për familjen. Ideali, Rama  edhe Vetoni , tre djem të rinj, tre engjëj, sot po i përcjellim në amshin, por këta janë të zotit, këta janë të parajsës”, ka thënë Gjini.

Ndërkohë, kryetari i Bashkësisë Islame në Gjakovë, Valon Myrta, ka thënë se varrimi i tre shokëve së bashku është i pazakontë.

“Vdekja është e mërzitshme por jo e pazakontë. E pazakontë mund të jetë tre shokë të rinj t’i varrosim së bashku. Por sa më e madhe të jetë dhimbja aq më e madhe është ndihma e zotit. Ndihma e zotit koftë me ju dhe me ne të gjithë. E gjithë Kosova, jo vetëm Gjakova, kanë ardhur sot për të ndarë dhimbjen me juve”, ka thënë Myrta.

Fëmijët, të moshave - një 13 dhe dy 15 vjeç, vdiqën tragjikisht të shtunën nga shembja e një objekti të pabanuar në fshatin Jabllanicë të Gjakovës.

Objekti paraluftës ka shërbyer si shitore e fshatit, ndërkohë që gjatë luftës është djegur. Pas luftës, sipas banorëve të fshatit, objekti është lënë pas dorës.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar të dielën se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë të gjitha veprimet për zbardhjen e rastit tragjik.