Arbëri

Vaksina e “AstraZenecas” pritet të vijë në Kosovë në mes të shkurtit

Isme Humolli, zyrtare profesionale e emergjencave e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë ka thënë se në mesin e muajit shkurt, eventualisht javën e tretë, në Kosovë pritet të vijë kontingjenti i parë i vaksinave kundër COVID-19, përmes skemës së njohur si “COVAX”.

Në një intervistë për REL, Humolli ka thënë se kontingjenti i parë i vaksinave do të jetë nga kompania “AstraZeneca”.

“Organizata e Botërore e Shëndetësisë së bashku me UNICEF-in dhe Bankën Botërore jemi partnerë, të cilët prej fillimit dhe në vazhdimësi jemi duke e mbështetur Ministrinë e Shëndetësisë, për të përgatitur të gjitha dokumentet e nevojshme për të marrë donacion (vaksinat) nga COVAX-i, që është diku për 20 për qind të popullatës së Kosovës. Sipas lajmeve të fundit, besojmë që në mesin e shkurtit, eventualisht javën e tretë, do të arrijë kontingjenti i parë i vaksinave kundër COVID-19. Donacion është për 20 për qind të popullatës, që i bie diku mbulesë me dy doza për 360 mijë persona në Kosovë. Në diskutim jemi me AstraZenecan dhe me Pfizerin. Këta janë dy prodhues me të cilët jemi në bisedime se si t’i lehtësojmë procedurat e ardhjes së vaksinave në Kosovë, por pritet që kontingjenti i parë të jetë nga AstraZeneca”, ka thënë ajo.

Efikasiteti i kësaj vaksine kalon 90 përqindëshin. Ajo vaksinë jepet në dy doza.

Ajo tutje ka thënë se pret që 50 për qind e popullatës të vaksinohet deri në fund të 2021-s.

Sipas saj, Kosova është e gatshme për të nisur vaksinimin.

Në janar, Qeveria Hoti kishte thënë se ka siguruar 500 mijë doza të vaksinës së “Pfizerit”.