Përfaqësues të Kishës në Prishtinë për nder të Ditës së Shën Terezës kanë shpërndarë ushqim falas për personat e varfër të hënën.
Zëvendësfamullitari i kishës “Shën Ndou”, don Daniell Markprengaj, është shprehur se shpërndarja e ushqimit për të varfrit është një praktikë që kisha e zhvillon çdo ditë, por duke pasur parasysh që këto ditë po shënohen ditët e Shën Nënë Terezës, solidarizimi me të varfrit merr një formë më të theksuar dhe më dinamike, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Ajo (Nënë Tereza) kishte një kujdes të veçantë për të varfrit, kështu që edhe ne në këtë përgatitje të treditëshit të Nënë Terezës kemi bërë një aktivitet që është i vazhdueshëm, pra mensën e të varfërve, ku ne, sikurse ajo, do të solidarizohemi me këta njerëz. Këta njerëz kanë nevojë të ndihen të dashur nga ne dhe këtë gjë e ka bërë më së miri Nënë Tereza”, ka thënë Markprengaj.
Po ashtu, Markprengaj ka bërë të ditur se përshpirtëria ndaj Shën Nënë Terezës po vazhdon edhe në kisha të tjera në mënyra të ndryshme.