Banorë të fshatrave Qerim dhe Osekë Pashë në Gjakovë kanë ngritur shqetësime për dëmtimin e një ure që i lidh dy fshatrat.
“Muajt e fundit Komuna e Gjakovës ka rinovuar urën që lidh Rekën e Mirë me Rajonin e Dushkajës, në Qerim, por fatkeqësisht keqbërës në mënyrë të organizuar sikurse herën e kaluar edhe këtë herë kanë vendosur të dëmtojnë, gjegjësisht të shkatërrojnë atë”, është shprehur banori i fshatit Qerim, Kriger Ramaja, për urën që lidh edhe Rekën e Mirë me Rajonin e Dushkajës.
Keqbërësit i kanë hequr pengesat nga shtyllat e urës të cilat nga firma kontraktuese ishin vendosur për të mos lejuar peshat e rënda të kalojnë, pasi ura është e projektuar për pesha nën 8 ton.
Ramaja i ka bërë apel inspektoratit komunal dhe Policisë së Kosovës që “të vëzhgojnë terrenin dhe keqbërësit të marrin atë çka u takon”.
Në një deklaratë për KOHËN, Ramaja ka thënë se ura është dëmtuar edhe nga kompanitë që bëjnë ndërtimin e rrugëve të cilat sipas tij e kanë shfrytëzuar këtë urë që të kalojnë me pesha të rënda. Ramaja ka treguar se ura është ngritur nga KFOR-i në vitin 2002 dhe sipas tij Komuna e Gjakovës po e rinovon për së dyti atë.
Ndërkaq drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike në Komunën e Gjakovës, Shkumbin Kastrati të premten ka thënë për KOHËN se Komuna do ta denoncojë rastin e dëmtimit të urës tek organet përkatëse dhe ka bërë thirrje tek qytetarët që të mos e dëmtojnë investimin që komuna po bën në interes të tyre. Kastrati ka treguar për KOHËN se Komuna e Gjakovës ende nuk e ka mbaruar investimin në rinovimin e urës, gjithashtu edhe rrugës përkatëse.
Drejtori Kastrati ka thënë se në vendin ku është ngritur ura e drunjtë dhe e rrethuar me rrethojë metalike nuk parashihet ndonjë urë tjetër.
“Kemi vendosur dhe po e rinovojmë këtë urë të cilën e ka ngritur KFOR-i para disa viteve, nuk parashohim urë me ndërtim tjetër në këtë vend, pasi lokaliteti ku gjendet ura ka edhe alternativa të tjera për hyrje-dalje”, ka arsyetuar ai. “Ura nuk është për automjete të rënda dhe këtë duhet ta respektojnë qytetarët”.
Nysret Gjurkaj nga Policia e Kosovës i ka thënë KOHËS se në polici deri në këtë ditë nuk ka ndonjë rast të paraqitur rreth dëmtimit të urës së përmendur. Gjurkaj ka ftuar secilin që posedon informacione për veprime që dëmtojnë projektet me rëndësi për komunitetin t’i denoncojnë rastet në polici.
{gallery}