Arbëri

Ultimatumi i mjekëve për Qeverinë

Greva, protesta e madje edhe mosdhënia e ndihmës mjekësore, janë masat të cilat kanë paralajmëruar mjekët në rast se qeveria nuk merr parasysh kërkesat e tyre për rritje të pagave, raporton KTV.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë dhe ai i Organizatës Sindikale, gjatë diskutimit të tyre në komisionin për shëndetësi, kanë thënë se pas ditës së enjte situata mund të dalë jashtë kontrollit. Ndërsa, në QKUK grevën e kanë vazhduar mjekët e Kirurgjisë Abdominale, derisa i janë kthyer punës ata të Klinikës së Syve.

Jo vetëm greva e protesta, por edhe mosdhënie të ndihmës mjekësore kanë paralajmëruar mjekët në rast se qeveria nuk merr parasysh kërkesat e tyre.

Ky është paralajmërimi i fundit që ka dhënë Federata Sindikale e Shëndetësisë të mërkurën, para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi të cilët u thirrën për të diskutuar lidhur me situatën e krijuar në shëndetësi.

E, pas takimit të Këshillit të Federatës, i cili pritet të mblidhet të enjten, kreu i kësaj federate, Blerim Syla, paralajmëroi vendime radikale, pas shterjes së të gjitha mundësive që ofroi kjo federatë.

Këtu, mjekët edhe njëherë kërkuan që qeveria t’i marrë parasysh kërkesat e tyre, pasi që, siç thanë ata, mund të shkaktojnë tronditje dhe tollovi në rast të mosmarrjes së hapave konkretë nga qeveria.

E, të gjitha këto kërcënime i kanë shqetësuar anëtarët e Komisionit të Shëndetësisë, të cilët kërkuan nga federata dhe sindikata që të përmbahen derisa të gjendet një zgjidhje.

Kryetarja e Komisionit, Besa Baftiu, kërkoi nga të gjithë anëtarët që të ushtrojnë më shumë presion te përfaqësuesit e tyre politikë në qeveri, për të arritur një zgjidhje në këtë situatë të krijuar.

Në QKUK greva ka vazhduar në Klinikën Abdominale. Drejtori i Klinikës, Rifat Bajrami, ka thënë se mjekët e repartit të tij kanë themeluar një këshill, ku kanë vendosur vazhdimin e grevës pa e pyetur atë fare.

Por, Bajrami ka thënë se ai vetë, si drejtor i klinikës, ka kryer intervenime dhe pacientët nuk kanë mbetur pa shërbime si pasojë e grevës.

Ndërsa, drejtori i Klinikës së Syve, Florim Zejnullahu, ka thënë në mëngjes ka pasur një rezistencë nga mjekët e klinikës që ai drejton, por pasi ka lëshuar një urdhëresë puna i është kthyer normalitetit.

Ndërsa, nga Zyra e Kryeministrit kanë thënë se qeveria në vazhdimësi ka punuar dhe po punon që t’i adresojë të gjitha kërkesat e paraqitura nga mjekët.