Glauk Konjufca doli të hënën nga shtëpia si kryetar Kuvendi. Në mbrëmje u kthye si ministër i Jashtëm. Por, tërheqja e tij i hapi rrugë marrëveshjes së koalicionit qeveritar.
Mirëpo, vendimi i Konjufcës nuk i ka befasuar të afërmit e tij në vendlindje, raporton KTV.
Në oborrin e shtëpisë në Llugaxhi kishte bërë hapat e parë. Shtëpia e vjetër është rrëzuar, por ndonjë fundjavë shefi i ri i diplomacisë e kalon në shtëpinë e re të babait në fshatin Llugaxhi të Lipjanit.
Ende pa i mbushur tre vjet, Glauku i vogël do të udhëtonte me familjarët drejt Serbisë për ta takuar babanë. Veprimtari Sherif Konjufca ishte dënuar me tetë vjet burgim. Shtatë sosh do t’i kalonte prapa grilave.
Të afërmit dhe bashkëfshatarët krenohen me vendimin e Konjufcës. Thonë se Glauku asnjëherë nuk e vë veten para interesave kombëtare.
Konjufca ka kryer katër vjetët e parë në shkollën e rrënuar të fshatit, para se t’i vazhdonte edhe dy të tjerë në fshatin Banullë. Pastaj me familje u zhvendos në Prishtinë.
Në shkollën e re të Llugaxhisë ende ruhen ditarët e viteve tetëdhjetë.
Xhaxhai Rabiti thotë se nipi ministër i ka bërë krenarë farefisin dhe fshatin. Ai ngulmon se duke e njohur Ukun, sikurse i referohet Glauk Konjufcës, e ka pritur edhe vendimin që vendi ta shmangte krizën politike.