Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kanë thënë në një komunikatë të përbashkët se uji për pije në territorin e komunës së Pejës është i sigurt dhe brenda standardeve të parapara.
Në njoftimin e publikuar në Facebook të dielën mbrëma, u tha se ekipet e përbashkëta janë në terren dhe po e mbikëqyrin cilësinë, kualitetin dhe furnizimin.
Në matjet e orës 07:00 të së dielës, cilësia e ujit në burimet Uji i Zi dhe Radavc, sipas IKSHPK-së dhe MSH-së, ishte brenda normave të kërkuara.
“Në takimin e përbashkët të orës 12:00 sot, të Kreut të 'Hidrodrini', përfaqësuesve të Njësisë së ujërave nga IKSHPK, Drejtorisë së IRSHP-së Pejë dhe të përgjegjësve për shërbimin e ujërave në IRSHP-Pejë, bazuar edhe në të dhënat laboratorike, është ri-konstatuar situata nëpër burime dhe sistem si e qetë dhe e menaxhueshme, me përjashtim të paraqitjes së rënies së nivelit të shtypjes në pompën kryesore të qytetit dhe menjëherë janë aktivizuar kapacitetet ndihmëse me çfarë furnizimi mbetet stabil”, thuhet në njoftim.