Ujdia mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka thelluar mosmarrëveshjet në partinë që ka dalë e treta në zgjedhjet e qershorit.
Deputetja Janina Ymeri ka thënë se pas saj mund të fshihet tregtia me energji, deklaratë të cilën e ka kundërshtuar kolegu i saj në parti Paris Guri.
Të hënën mes LVV-së dhe LDK-së është arritur marrëveshja që si kandidat të përbashkët për president të jetë profesori universitar Bekim Sejdiu.
Por këtë ujdi e kanë kundërshtuar gjashtë deputetë të partisë së tretë, përfshitë Ymerin, e cila është ankuar për siç ka thënë sulmet propagandistike nga Vetëvendosja dhe kryetari i saj në parti, Lumir Abdixhiku.
E pikërisht për shkak të kësaj kauze, Ymerit iu hap dera për në LDK ka thënë deputeti Paris Guri, tek i ka reaguar bashkëpartiakes.
“Kur sot dëgjoj akuza për ‘mafi energjetike’, më lind një pyetje shumë e thjeshtë: Nëse Lumir Abdixhiku qenka pjesë e ‘mafias energjetike’, atëherë pse pikërisht ai zgjodhi, promovoi dhe i hapi rrugën politike një prej njerëzve që sot e akuzon për të”, ka shkruar Guri në një postim.
Marrëveshjes mes LDK-së dhe Vetëvendosjes që profesori universitar Bekim Sejdiu të jetë kandidati i përbashkët për president, i dolën kundër Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Janina Ymeri, Armend Zemaj dhe Arben Gashi.
Abdixhiku ka deklaruar se kundërshtia e gjashtë deputetëve të LDK-së e bën të pamundur zgjedhjen e presidentit për shkak se mungojnë numrat në Kuvend.
Arsyetimin e tyre se nuk duan t’ia zgjasin jetën pushtetit të Albin Kurtit, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar si të paqëndrueshëm.
Sipas tij, LDK-ja tashmë kishte vendosur të qëndronte në opozitë, ndërsa të martën u refuzua kandidati i propozuar nga vetë partia.
Abdixhiku fajësoi një të tretën e deputetëve të LDK-së se po e çojnë vendin në zgjedhje.
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Imri Ahmeti, njëherësh kryetar i Lipjani dhe Sekretar i Përgjithshëm në këtë parti ka thënë se refuzon që të linçohen ata që sipas tij e kanë mbajtur gjallë partinë.
Ahmeti ka reaguar pas kritikave dhe akuzave që kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku i ka bërë ndaj 6 deputetëve të kësaj partie që janë deklaruar kundër marrëveshjes me Vetëvendosjen për përkrahjen e Bekim Sejdiut për president.
“Flas nga brenda. Që nga themelimi e deri më sot, në të mirë e në sfida. Dhe pikërisht për këtë refuzoj që kaq lehtë të linçohen e të akuzohen ata që e kanë mbajtur gjallë LDK-në në ditët më të vështira, ndërsa të përkëdhelen turistet politik. Kah kjo kulturë e fyerjeve, linçimeve dhe akuzave? Kjo nuk është trashëgimi, as vlerë e jona”, ka shkruar Ahmeti në një postim në Facebook.
Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht. Seanca e fundit për këtë çështje është mbajtur një ditë më vonë, ndërsa prej atëherë nuk është thirrur vazhdimi i saj.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, nga Vetëvendosje, nuk ka caktuar ende datë për vazhdimin e seancës.