Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

U promovua monografia për dëshmorin Sylejman Shala

Në prani të familjarëve, bashkëluftëtarëve, qytetarëve dhe përfaqësuesve të ndryshëm të institucioneve lokale e qendrore, në Mitrovicë është promovuar libri monografik “Pas tij vrapon lavdia”, të autorit Asllan Istrefi, kushtuar dëshmorit të Kosovës, i rënë në betejën e Koshares, Sylejman Adem Shala, nga Vidishiqi i Shalës së Bajgorës të Komunës së Mitrovicës.

Redaktorja e librit, profesoresha Shemsije Zeqiri, tha se duhet t’i jemi mirënjohës profesorit Asllan Istrefit, për përkushtimin dhe angazhimin e tij konkret që të ndriçoj figurën e dëshmorit Sylejman Shala, i cili ushqente dashuri të pakusht për Kosovën, për t’i dalë zotë të së cilës u kthye nga Gjermania dhe ra në altarin e lirisë duke luftuar heroikisht.

Recensenti i librit, Prof. Dr. Sci, Pajazit Hajzeri tha se profesor Asllan Istrefi ka bërë një punë të mirë që ka lexuesit po i ofron të dhëna konkrete për jetën dhe veprën e dëshmorit Sylejman Shala, i cili pas arratisjes nga burgu, u detyrua të shkoj emigrim, si dhe për rrugëtimin e tij nga dhjetori i vitit 1998, nga mërgimi në Tiranë për t’iu bashkëngjitur luftëtarëve të lirisë, në rrugën e tij drejtë Kosovës, rrugëtim të cilin Sylejmani e vlerësonte si obligim ndaj atdheut.

Edhe recensenti i dytë i librit, Mr. Enis Kelmendi, vlerësoi lartë punën që ka bërë autori Istrefi dhe veprën e madhe të luftëtarit të lirisë, Sylejman Shala. Sipas tij pjesa më e mirë e librit është ajo e momentit kulminant, ku përshkruhet lufta dhëmbë për dhëmbë midis Sylejmanit e shokëve të tij në njërën anë dhe ushtarëve të armikut në anën tjetër.

Në tubimin promovues, në emër të brigadës 138 “Agim Ramadani-Katana”, foli edhe bashkëluftëtari i Syeljmanit, Jashar Ramadani, vëlla i Heroit të Kosovës Agim Ramadani. Ai tha se Sylejmani, Dritoni, Agimi e të tjerët që ranë në altarin e lirisë kanë fituar përjetësinë dhe ne duhet të jemi krenarë që i patë të tillë, që nuk hezituan për asnjë çast që të vdesin për lirinë e Kosovës dhe popullit të saj.

Ndërkaq, autori Asllan Istrefi në fjalën e tij tha se gjatë sheshimit të dhjetëra e qindra dokumenteve lidhur me jetën dhe veprën e Sylejman Shalës, mësoi për pjesëmarrjen e tij në protesta e demonstrata të fillim viteve të nëntëdhjeta, për plagosjen e tij në demonstrata te Ura e Gjakut, për arrestimin dhe dënimin e tij me burg, arratisjen nga burgu i Smrekonicës dhe mërgimin e tij në Perëndim, si dhe për rrugën e lavdishme të kthimit të tij për të luftuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe popullit të saj.