Arbëri

Tryezë për dezinformimin si sulm mbi demokracinë dhe sigurinë

Operatorët ilegalë duhet të ndalen për t’u ndalur dezinformomi në Kosovë.

Ky është konstatimi që doli nga tryeza e organizuar nga Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Medie dhe Zhvillim Rajonal lidhur me piraterinë, portalet dhe IPTV-të që shpërndajnë lajme të rreme dhe propagandë.

“Nëse nuk mund ta ndalim piraterinë nuk mund t'i ndalim as lajmet e rrejshme”, ka thënë Doarsa Kica-Xhelili, deputete e partisë në pushtet – VV-së.

Sipas saj, duhet të identifikohen edhe kanalet e Serbisë që janë pjesë e "MTS DOO" që shpërndajnë lajme të rreme lidhur me luftën në Ukrainë.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se kjo është brengë ka marrë edhe vëmendjen e kryeministrit.

Ka thënë se BE-ja po e konsideron dezinformimin si sulm mbi demokracinë dhe sigurinë.

“Dezinformimi po përdoret edhe si formë e ndërhyrjes së jashtme në vendin tonë”, tha ai.

Xhevat Latifi, kryetar i Bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), ka deklaruar se gjatë vitit 2021 janë identifikuar 13 operatorë ilegalë IPTV dhe se këtë çështje nuk mund ta adresojë KPM-ja si e vetme.