Në Shqipëri po vazhdon të rritet numri i rasteve me koronavirus. Në 24 orët e fundit në Shqipëri janë regjistruar tri viktima dhe 477 raste të reja me COVID-19, një rritje e mëtejshme krahasuar me dje, kur ishin shënuar 451 raste të reja, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë.
Janë kryer 7733 testime nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 477 qytetarë, në këto bashki: 174 në Tiranë, 46 në Shkodër, 20 në Sarandë, 19 në Elbasan, 17 në Berat, nga 16 raste në Malësi e Madhe, Lezhë, 14 në Vau i Dejës etj.
Aktualisht janë 3.782 pacientë aktivë me COVID-19 në Shqipëri.
Janë shëruar 67 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 130.822 që nga fillimi i epidemisë.
Shqipëria që nga fillimi i pandemisë ka kryer 972.870 testime, prej të cilave 137.075 kanë dalë raste pozitive, prej tyre 130.822 janë shëruar, 3.782 janë aktive, ndërsa luftën me sëmundjen infektuese e kanë humbur 2.471 pacientë.