Arbëri

ZKA: “Trainkos” ka mbivlerësuar llogaritë dhe ka keqmenaxhuar me grante

Foto: Driton Paçarada / KD

Pa miratim të Bordit, “Trainkos” ka dhënë edhe stimulime për punonjësit në kohë të pandemisë, në kundërshtim me Rregulloren për paga të vetë ndërmarrjes, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Po ashtu, kjo ndërmarrje e ka shitur naftën tek “Infrakos” me çmim të furnizimit, pa aplikuar tarifë shtesë për kostot e ruajtjes, magazinimit dhe sigurimit në rezervuarët e saj

Mbivlerësim i llogarive të pagueshme, keqmenaxhim me grantet qeveritare, shpenzime pa miratim të Bordit, vonesa në borxhet ndaj klientëve, ofrimi i shërbimeve jashtë fushëveprimit dhe aktiviteteve të ndërmarrjes, janë vetëm disa nga shkeljet që ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditorit në raportin për vitin 2020, të ndërmarrjes publike “Trainkos”.

Sa u përket llogarive të pagueshme ato janë mbivlerësuar për 38 mijë e 949 euro. Sipas raportit të ZKA-së ka mungesë të faturave ose kontratave që e arsyetojnë detyrimin ndaj furnitorëve.

“Llogaritë e pagueshme tregtare janë mbivlerësuar për 38,949€ për faktin që nuk ka dëshmi që e arsyeton detyrimin ndaj furnitorëve me fatura apo kontrata. Kjo shumë u takon disa furnitorëve të cilët ishin evidentuar nga raporti i ndarjes mes ‘Trainkos’ dhe ‘Infrakos’ nga viti 2011”.

Rekomandim i ZKA-së është që duhet të bëhet harmonizimi i të dhënave ndërmjet ndërmarrjes dhe furnitorëve të saj në baza periodike në mënyrë që të sigurohet informacioni i saktë i vlerës së llogarive të pagueshme.

Ndryshe, sipas raportit, kjo mund të çojë në prezantimin jo të drejtë të informatave në pasqyra financiare.

“Trainkos” po ashtu ka keqmenaxhuar edhe me grante që ka marrë nga Qeveria, ku shpenzimet sipas Auditorit janë kryer jashtë natyrës së dedikimit të grantit. “Në pasqyrën e të ardhurave gjithëpërfshirëse, zëri i shpenzimeve tjera që përfaqëson shpenzimet e zhvlerësimit ishte prezantuar me vlerë prej 1,112,854€, ku prej tyre vlera prej 10,333€ ishte njohur nga ndërmarrja si shpenzime të zhvlerësimit nga grantet dhe janë thyer me të hyrat e shtyra nga granti”.

Përveç të tjerash, ndërmarrja publike “Trainkos” nuk i ka paguar me kohë as faturat në vlerë prej 613 mijë e 109 eurosh të vitit 2020, që u futën në Pasqyrën Financiare të po të njëjtit vit. Vonesa e pagesave shkon deri në më shumë se një vit. Në gjetjet e Auditorit, menaxhmeti është arsyetuar me faktin se nuk kanë buxhet të mjaftueshëm. Por, përkundër kësaj, Auditori ka gjetur se ka pasur mjete të mjaftueshme për shlyerjen e borxheve.

Pa miratim të Bordit, “Trainkos” ka dhënë edhe stimulime për punonjësit në kohë të pandemisë. Me një vendim të Komisionit për menaxhim të situatës me pandeminë, punëtorët esencialë për dy muaj janë paguar 7 euro në ditë për paraqitje në punë.

“Në muajin Mars 2020 kanë përfituar stimuj 47 punonjës dhe në muajin Prill 2020 kanë përfituar 88 punonjës, me vlerë totale për dy muaj 9,746€. Këto stimulime nuk ishin miratuar nga ana e Bordit të drejtorëve siç e kërkon rregullorja mbi pagat dhe kompensimet tjera”.

Ky veprim bie edhe në kundërshtim me Rregulloren për paga të vetë ndërmarrjes. “Dhënia e stimujve pa miratim nga Bordi i drejtorëve, përveç se është në kundërshtim me Rregulloren, rrit rrezikun që procesi të mos jetë i drejtë, duke shkaktuar kështu diskriminim dhe pakënaqësi brenda ndërmarrjes e cila si pasojë mund të ketë ndikim në mosrealizimin e objektivave. Po ashtu, krijohen shpenzime të paparashikueshme që mund të rëndojnë gjendjen financiare të ndërmarrjes”, thuhet në Raport.

Auditori ka rekomanduar që stimujt të jepen vetëm në bazë të procedurës zyrtare të miratuar nga Bordi.

Shpenzime pa nevojë “Trainkos” ka bërë edhe me dhënien e shërbimeve jashtë aktivitetit të ndërmarrjes. Auditori ka gjetur se kjo ndërmarrje e ka shitur naftën tek “Infrakos” me çmim të furnizimit.

“Trainkos gjatë vitit 2020 ka realizuar të hyra tjera duke shitur naftë ndërmarrjes publike Infrakos sh.a në shumë prej 18,854€. Këto të hyra Trainkos i kishte realizuar jashtë kornizës statutore të saj. Trainkos-i naftën ia shet ndërmarrjes publike Infrakos sh.a., me çmim të furnizimit pa aplikuar ndonjë tarifë shtesë për kostot e ruajtjes, magazinimit dhe sigurimit në rezervuarët e saj. Shitjen e naftës Trainkos e kishte bërë duke u bazuar në marrëveshjen për shërbime të përbashkëta mes Trainkos dhe Infrakos sh.a të datës 16.04.2019”, thuhet në raport.

Një problem i identifikuar por që daton që nga viti 2007 është edhe mosvlerësimi i pasurisë joqarkulluese të ndërmarrjes.

“Trainkos në Pasqyrën e pozitës financiare ka prezantuar pasuri jo qarkulluese (prona, pajisje dhe impiante) në vlerë neto 3,592,240€. Trainkos nuk kishte bërë rivlerësimin e pasurive që nga viti 2007. Andaj në mungesë të rivlerësimit sipas kërkesave të SNK16, ne nuk ishim në gjendje për të konstatuar se vlerat e pasurive ishin të sakta, të plota dhe të paraqitura me besueshmëri në PFV”.

Për të gjitha këto gjetje, Zyra Kombëtare e Auditorit ka nxjerrë edhe rekomandime që i adresohen bordit drejtues të “Trainkosit”, ku kërkohet që të paraqiten në mënyrë reale të gjitha shpenzimet dhe të hyrat e ndërmarrjes në Pasqyrën Financiare Vjetore.

Meqë Ministria e Ekonomisë ka nën menaxhim ndërmarrjet publike, për të tilla shkelje KOHA ka kërkuar sqarime nga ky institucion për hapat që duhen ndërmarrë në këtë aspekt, por ajo nuk është përgjigjur.