Arbëri

Rënia e të hyrave dhe keqmenaxhimi, shkak për shkarkimin e kryeshefit të “Trainkosit”

Treni

Foto: Policia e Kosovës

Bordi i ndërmarrjes “Trainkos” ka shkarkuar të enjten kryeshefin ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje Gelor Shala. Sipas Bordit, që nga emërimi i Shalës ndërmarrja ka shënuar rënie të performancës. Në dokumentet e brendshme të siguruara nga KOHA, thuhet se Shala ka kërcënuar edhe Sindikatën e Punëtorëve për shkak të një sinjalizimi nga punëtorët. Bordi ka kontestuar edhe vazhdimin e mandatit të Shalës që ishte bërë në vitin 2020

Rënia e të hyrave për mbi 60 për qind në transportin e mallrave dhe të udhëtarëve është arsyeja kryesore për të cilën Bordi i drejtorëve të ndërmarrjes “Trainkos” ka shkarkuar të enjten kryeshefin ekzekutiv Gelor Shala.

Një raport, të cilin e ka siguruar KOHA, bëhet e ditur se që nga emërimi i Shalës ndërmarrja ka shënuar rënie të vazhdueshme të performancës. Raporti cek gjithashtu se edhe transporti i mallrave ka regjistruar rënie nga 837 mijë tonë në vitin 2014 në 334 tonë më 2020. Rënie ka pasur edhe në transportin e udhëtarëve, nga 352 mijë udhëtarë më 2014, në 61 mijë gjatë 2021-tës.

Bordi ka konstatuar se gjatë kohës sa Shala ka qenë kryeshef ai e ka shpërfillur përkeqësimin e gjendjes së rëndë të ndërmarrjes dhe nuk ka propozuar asnjë plan për rritjen e të hyrave.

Siç ka mësuar KOHA, Shala ka shpërfillur edhe paralajmërimet dhe rrezikun për vonesa në rehabilitimin e hekurudhës, duke çuar drejt projektimit të gabuar të të hyrave nga transporti i mallrave në planin e biznesit për vitin 2023.

Sipas një dokumenti të brendshëm, Shala ka kërcënuar Sindikatën e Punëtorëve për shkak të një sinjalizimi të punëtorëve. Letra e Shalës në atë dokument cilësohet se përmban elemente të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo të autoritetit zyrtar, nga neni 414 i Kodit Penal.

Në raportin e Auditimit për vitin 2020, ndërmarrja ka dhënë stimulim prej 7 eurosh në ditë për secilin punonjës që është paraqitur në punë gjatë fazës së hershme të pandemisë së koronavirusit, COVID-19.

Mirëpo Shala nuk e ka siguruar miratimin paraprak të Bordit të Drejtorëve për stimulimin e paguar, siç kërkohet me nenin 26.1 të Rregullores së ndërmarrjes për pagat dhe kompensimet e tjera.

Si arsye tjetër për shkarkimin është përmendur se Shala nuk ka ndërmarrë veprime konkrete për të parandaluar aksidentet e shpeshta të trafikut, në të cilat janë përfshirë trenat e ndërmarrjes dhe të cilat kanë përfunduar me fatalitet.

Bordi ka numëruar edhe raportet e Auditimit, të cilët kanë gjetur se ndërmarrja nuk e ka planifikuar dhe nuk e ka realizuar siç duhet planin e biznesit, duke vërejtur se “mungesa e informatave lidhur me burimet e financimit mund të rezultojë me mosrealizimin e projekteve”.

Në vitet 2019 dhe 2020, sipas raportit të auditimit, ndërmarrja, nën udhëheqjen e Shalës, ka dështuar që t’i paguajë faturat brenda afatit të kontraktuar me ndërmarrjen publike simotër “Infrakos”.

“Gjatë auditimit kemi vërtetuar se ndërmarrja nuk kishte paguar brenda afatit kohor prej 30 ditësh klientit/Infrakos sh.a faturat në vlerë 613,109€, të cilat i kishte pranuar nga muaji janar deri në dhjetor 2020. Këto fatura ishin raportuar si detyrim në PFV e vitit 2020”, thuhet në raportin e Auditimit për vitin 2020. Po këtë vit, sipas ZKA-së, Shala nuk ka emëruar menaxher të kontratës “Furnizim me sensorë dhe regjistrues të shpejtësisë për lokomotiva”.

Emërimi kërkohet në bazë të nenit 61, paragrafi 4, i Udhëzuesit Operativ për Prokurim Publik dhe ZKA, duke konsideruar se mungesa e menaxherit “ndikon në zvogëlimin e sigurisë se kontrata është realizuar konform specifikave të parapara”.

Në rastin konkret mosrealizimi i kontratës do të cenonte sigurinë edhe ashtu të brishtë të transportit hekurudhor.

Bordi i ndërmarrjes ka kontestuar edhe vazhdimin e mandatit të Shalës, duke thënë se Bordi i atëhershëm i drejtorëve ka pasur obligim ligjor që ta shkarkojë atë për performancë të dobët, porse e ka bërë të kundërtën, duke ia vazhduar mandatin pa një vlerësim të performancës.

Sipas Bordit aktual, bordi paraprak ka pamundësuar mbikëqyrjen adekuate të punës së kryeshefit në kohën kritike për ndërmarrjen, duke i dhënë Shalës mandat të tejzgjatur në atë që e rrezikon qëndrueshmërinë operative dhe financiare të ndërmarrjes.

Sipas Ligjit për ndërmarrjet publike, neni 18.3, Bordi i drejtorëve detyrohet që të shqyrtojë “shkarkimin dhe zëvendësimin e KE-së për shkak të performancës negative”, por që nuk është zbatuar në rastin e vazhdimit të mandatit të Shalës.

Neni 21, paragrafi 4, parasheh që përzgjedhja e kryeshefit të bëhet me procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese, e cila ka për qëllim që të gjitha emërimet të bëhen ekskluzivisht në bazë të meritës.

Në nenin 18, paragrafi 1, përcaktohet që Bordi i Drejtorëve duhet të ushtrojë mbikëqyrje të vazhdueshme dhe rigoroze të punës së kryeshefit, gjë që pamundësohet nga mandati i stërzgjatur pesëvjeçar.

Ndërkaq neni 15, paragrafi 1 parasheh që mandati i anëtarit të Bordit të Drejtorëve të jetë 3-vjeçar dhe në praktikat më të mira ky mandat zbatohet përshtatshmërisht për kryeshefin, i cili është anëtar i Bordit të Drejtorëve. Për këto konstatime të Bordit, KOHA ka provuar që të marrë një qëndrim nga Shala, porse ai nuk u është përgjigjur pyetjeve.

Shala ishte kryeshef i ndërmarrjes “Trainkos” që nga viti 2014. E në vitin 2020 atij i ishte vazhduar mandati edhe për pesë vjet të tjerë nga Bordi i kaluar i ndërmarrjes. Shala është edhe mik i familjes së Adem Grabovcit, ish-shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike (PDK).