“Trafiku Urban” ka njoftuar se ofrimi i shërbimit të transportit publik rrezikohen të pezullohen plotësisht nga java e ardhshme, për shkaqe financiare.
“N.P.K. “Trafiku Urban” SH.A. njofton se ofrimi i shërbimit të transportit publik rrezikon të pezullohet plotësisht nga java e ardhshme, për shkak të pamundësisë financiare të shkaktuar nga bllokimi i mjeteve buxhetore. Kjo situatë ka ardhur si rezultat i moslëshimit të mjeteve nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave, çka ka pamundësuar Komunën e Prishtinës të shlyejë detyrimet ndaj ndërmarrjes. Si rrjedhojë, “Trafiku Urban” po përballet me vështirësi të theksuara financiare, duke cenuar funksionimin operativ dhe aftësinë për të vazhduar ofrimin e shërbimit për qytetarët”, ka njoftuar “Trafiku Urban”.
“Trafiku Urban” ka treguar se vonesat në pagesa që nga muaji korrik kanë prekur furnitorët, partnerët bashkëpunues dhe proceset e brendshme teknike, duke krijuar rrethana që e bëjnë të pamundur operimin e rregullt.
“’Trafiku Urban’ mbetet i përkushtuar ndaj shërbimit publik dhe apelon për zgjidhje të menjëhershme të bllokimit financiar, në mënyrë që të shmanget ndërprerja e qarkullimit për rreth 60 mijë qytetarë që përdorin transportin çdo ditë”, ka njoftuar “Trafiku Urban”.